Vetëvendosje e PSD me inate si dikur LDK e LDD
Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, vazhdojnë përplasjen. Ndarja e tyre duket të ketë shkaktuar hatërmbetje të madhe mes drejtuesve të këtyre subjekteve, sa që edhe të ndjerin Astrit Dehari e kujtuan ndaras.
Akuza dhe kundërakuza në drejtim të njëra tjetrës vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes.
Madje bashkëpartiakët e dikurshëm nuk i bashkoi as përvjetori i dytë i vdekjes së aktivistit, Astrit Dehari, që tregon se ndarja mes tyre ka qenë e dhimbshme.
Ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje, duket e ngjashme sikurse para 12 viteve ndarja e LDK-së, në kuvendin e njohur si Kuvendi i Karrigeve, ani pse kjo e fundit nuk e vazhdoi gjatë përplasjen me subjektin që doli prej saj.
Atëbotë LDK dhe LDD jo vetëm që thirrëshin e bënin garë për përfaqësimin e ideologjisë së ish- kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova, por edhe e kujtonin e nderonin ndaras Rugovën.
Edhe pse në kujtim të figurave të subjekteve të tyre Vetëvendosje e PSD janë të ngjashme si dikur LDK e LDD, politologu Ramush Tahiri thotë se veprimet e përplasjet e këtyre partive kanë dallime.
Sipas Tahirit, LDK e LDD pas ndarjes nuk kishin vazhduar përplasjen mes vete, çka iu ka mundësuar më vonë të larguarve të kthehen në LDK prapë, derisa VV e PSD po vazhdojnë përplasjen akoma.
“Përveç atij Kuvendit, nuk shoh që ka ngjashmëri. Këtu është një ideologji tjetër… Ata nuk janë përla, e këta po përlahen. Pas ndarjes, vetëm në fillim ka pasur akuza dhe mandej LDD-ja dhe LDK-ja nuk e kanë akuzuar njëra tjetrën dhe kjo ka mundësuar që më vonë të larguarit e gjithë LDD-ja të integrohen dhe kthehen në LDK”, ka thënë Tahiri për FaktePlus.
Vazhdimin e përplasjes dhe mbajtjen e inateve mes drejtuesve të Vetëvendosjes dhe PSD-së, politologu Tahiri e quan luftë brenda llojit, e cila sipas tij është më e ashpër për shkak se kanë dalë nga një vend.
“Lufta brenda llojit është më e ashpër gjithmonë, sepse emocionet janë me të mëdha… Për ndryshe asgjë nuk ka ndryshuar, të njëjtit njerëz janë, e njëjta situatë është në Kosovë, të njëjtat këndvështrime janë, vetëm se tash janë gjetur në pozita të ndryshme PSD dhe VV. Por, asgjë thelbësore nuk ka ndryshuar”, është shprehur ai.
Sipas tij, njerëzit e këtyre subjekteve përfaqësojnë një ideologji të majtë që edhe përmes protestave tërheqin vërejtjet se me çdo mjet duhet të luftojnë për qëllimet që konsiderojnë se janë të drejta.
Ndër të tjera Tahiri vlerëson se është për keqardhje që edhe rastet e përkujtimeve nuk bashkojnë personalitetet politike. Ai e ka qujatur të dhimbshëm dhe të turpshëm për drejtësinë vdekjen e Astrit Deharit në burg./B.S -FaktePlus