Vetëvendosje do ta dërgojë Thaçin në Kushtetuese përsëri, tani për votën e Haxhi Shalës
Lëvizja Vetëvendosje do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese edhe rastin e deputetit Haxhi Shala, që votoi pro Qeverisë Hoti pasi u bind nga presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Rexhep Selimi, ka thënë se presidenti ka bërë shkelje kushtetuese që i ndërhyri në votë deputetit Shala.
“Deputeti Shala e shpjegoi mirë rastin. Kjo është shkelje kushtetuese nga Thaçi, prandaj do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese këtë akt. Kemi shumë lëndë që do t’i dërgojmë në Kushtetuese”, ka thënë Selimi në Klan Kosova.
“Thaçi as që ka tentuar ta fshehë. Ai ka shkelë Kushtetutën duke shkelë paanshmërinë dhe ka ndërhyrë drejtpërdrejt në vullnetin e deputetit, aq më tepër kur vota e tij ka qenë përcaktuese”.
Ndërkaq, Selimi kritikoi Haradinajn për ndërhyrjen si kryetar partie duke dhënë se e bëri në mënyrën mesjetare.
Ai gjithashtu tha se nuk e di nëse e kanë kërcënuar apo premtuar diçka Shalës, por për votat e siguruara që e bënë Thaçin president tha se s’janë marrë falas, por janë shpërblyer.
Vetëvendosje sot i janë drejtuar Kushtetueses edhe për votën e deputetit të dënuar Etem Arifi që ia dha Qeverisë Hoti.