Vetëvendosja nuk organizon nesër protestë por as “nuk dekurajon protesta të paralajmëruara nga qytetarët”
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me komunikatë për media pas përfundimit të takimit të Kryesisë dhe grupit parlamentar të kësaj partie, një ditë para seancës së jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë Hoti.
Në këtë mbledhje është diskutuar situata politike në Kosovë, sidomos zhvillimet e fundit dhe është kritikuar ashpër Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, që, siç thuhet, ‘e vulosi këtë Gjykatë si të kapur, madje edhe më fort se shteti ynë në përgjithësi’.
“Përjashtimi edhe i zgjedhjeve edhe i fituesit është i pashembullt dhe e bën këtë aktgjykim të padrejtë e të papranueshëm. U vlerësua mbështetja e madhe e qytetarëve, puna e mirë e Qeverisë në detyrë, dhe organizimi nga aktivistët i peticionit “Duam Zgjedhje!” Duket qartë se ky peticion do t’i thyejë të gjitha rekordet duke u bërë peticioni më i madh në Kosovën e pasluftës”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu thuhet se në mbledhje u kundërshtua tentimi për qeveri të re pa zgjedhje të reja, pasi sipas Lëvizjes Vetëvendosje kjo qeveri do të ishte e presidentit dhe nuk do të ngërthente as 1/3 e mbështetjes qytetare elektorale dhe do të varej komplet nga Lista Serbe dhe Serbia.
Lëvizja Vetëvendosje bën me dije se nuk do të organizojë protestë nesër, por po ashtu bën me dije se nuk dëshiron të dekurajojë protesta të tjera të paralajmëruara nga grupet e ndryshme të qytetarëve, duke thënë se protestat po bëhen të pashmangshme.