Veteranët i reagojnë Buxhovit: Nuk na çuditin deklaratat e sojit tuaj
Organizata e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës reagon ashpër ndaj deklaratës së shkrimtarit Jusuf Buxhovit që lufta e UÇK-së nuk ka qenë e pastër.
Kryetari i OVL-së, Hysni Gucati për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, tha se nuk çuditet nga deklarata siç thotë ai e sojit të Buxhovit dhe që prej tij nuk presin asgjë më mirë.
Gucati thotë se befasohet nga pushteti që bashkëpunon dhe rrinë me Buxhovin.
“Mua nuk më vjen çudi dhe nuk befasohem shumë prej individëve të caktuar sikurse soji i Jusuf Buxhovi që flet keq për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk më befason kjo. Ne prej tij nuk presim diçka më mirë kur e dimë që këta kanë krijuar komisionin në atë kohë për krime lufte gjoja se luftëtarët kanë bërë krime lufte kështu që mua më vjen më keq prej pushtetit që e kanë përkrahur përpara Jusuf Buxhovin dhe që bashkëpunojnë e rrinë e të”, tha Gucati.
Madje, Gucati thotë se kish me qenë mirë që Buxhovi të merret me punën e tij në të kaluarën e jo me luftën e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Jusuf Buxhovi kish me qenë mirë të merret me tjera çështje, me ato kur ka punuar në kohën e tij. në si organizatë e dënojmë e dënojmë fjalorin e tij të vrazhdë që e ka ndaj pjesëtarëve të UCK-së, nëse ka ekzistuar diku një luftë më e pastër ajo është e UCK-së”, përfundon Gucati.
Në një intervistë mbrëmë, Buxhovi tha se UÇK-ja nuk ishte e pastër sepse janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së
“UÇK-ja nuk ka qenë e pastër. Ka qenë e drejtë, por ka pasur shumë gjëra të këqija. Janë vrarë mbi 100 zyrtarë të Lë”, ka thënë Buxhovi.
Edhe Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik dhe anëtari i PDK-së, Gani Koci, ka reaguar ndaj shkrimtarit Jusuf Buxhovi që deklaroi mbrëmë se lufta e UÇK-së nuk ka qenë e pastër.
Përmes një shkrimi në Facebook, Koci ka shkruar se para se të gjykohet pastërtia e luftës së UÇK-së nga Buxhovi, duhet të përgjigjet për vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës si dhe për arrestimin e grupit të Hysen Gegës.
Tutje, zëvendësministri tha se lufta e UÇK-së është dashur të spastroj të gjitha mbeturinat.
“Para së të gjykonte për pastërtinë e luftës së UÇK-së, Jusuf Buxhovi duhet të përgjigjet për vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvalles dhe Kadri Zekës, dhe arrestimin e grupit të Hysen Gegës me dëshmitë e të cilit ky grup ishte dënuar me dhjetëra vjet! Vërtetë lufta e UÇK-së, është dashur të spastroj të gjitha mbeturinat e sojit të buxhovëve!”, ka shkruar Koci.