Vetëm për dy muaj mbi 88 milionë euro
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) vetëm në dy muajt e parë të këtij viti ka arritur që të inkasojë 88 milionë euro.
Përmes një deklarate për media, ATK ka njoftuar se gjatë periudhës janar-shkurt 2019 janë mbledhur 9.5 milionë euro më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas ATK-së, shkak i rritjes së të hyrave ka qenë edhe avancimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve.
“Rezultat për rritjen e të hyrave janë avancimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve, të cilat kanë lehtësuar në masë të madhe deklarimin dhe pagesën e tatimeve, si dhe kanë ngritur nivelin e përmbushjes vullnetare. Po ashtu, këtu rol të rëndësishme ka edhe rritja e aktiviteteve në teren, e sidomos ndërmarrja e veprimeve për mbledhjen e borxheve tatimore, të cilat aktivitete do të intensifikohen edhe më shumë ditëve në vijim”, thuhet në deklaratën e ATK-së.
Sipas njoftimit, ATK thotë se të vazhdojë të punojë në ruajtjen dhe ngritjen e imazhit të një administrate transparente dhe në shërbim të të gjithë tatimpaguesve.
“Motoja e përgjithshme e punës sonë qëndron në krijimin e një mjedisi, i cili mbështet fuqimisht përmbushjen e detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve, dhe mbi të gjitha trajtim i barabartë për të gjithë tatimpaguesit në mënyrë që secili ta paguajë pjesën që i takon me ligj”.