Vetëm për 5 ditë 104 persona të ndaluar nga Policia e Kosovës (Tabela)
Vetëm për 5 ditë, respektivisht nga 11 maji deri më 15 maj, Policia e Kosovës i ka ndaluar 104 persona, të cilët thuhet se nuk kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet, që kanë për qëllim ndaljejn e përhapjes së Koronavirusit.
Sipas policisë, gjithë këta persona janë ndaluar për veprën “mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.
E në bazë të raportit të sotëm të Policisë së Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit ka pasur më së paku persona të ndaluar, kurse ditët tjera të kësaj jave kishte më shumë, raporton FaktePlus.
Dita kur pati më së shumti të ndaluar është 14 maji. Sipas raportit të policor, atë ditë janë ndaluar 28 persona.
Marrë në tërësi nga 11 maji deri më 15 maj, Policia e Kosovës i ka ndaluar gjithsej 104 persona.
Bazuar në raportet policore, shihet se në komunën e Prizrenit ka pasur më shumë të ndaluar, pasi atje policia vetëm për 5 ditë i ka ndaluar 40 persona.
Pas Prizrenit rendimet komuna e Ferizajt me 20 të ndaluar, kurse më pas vjen ajo e Gjilanit me 11 të ndaluar.
Ndërkohë sipas raportimit të Policisë, në Mitrovicën e Jugut janë ndaluar 8 persona, ndërsa në Pejë 6.
Policia e Kosovës tregon përmes raporteve të saj se në Gjakovë e Prishtinë për 5 ditë janë ndaluar nga 5 persona.
Numri më i vogël i të ndaluarve gjatë kësaj jave ka qenë në Mitrovicën e Veriut, atje u ndaluan vetëm 2 persona.
Edhe nëpër pikat kufitare ka pasur të ndaluar dhe Policia tregon që për 5 ditë i ka ndaluar 7 persona për mos respektim të rregullave.
Në Kosovë, që nga 4 maji ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave kundër sëmundjes, COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Qytetarët kanë të drejtë të dalin tri orë në ditë dhe orari i qarkullimit është i rregulluar në bazë të shifrës së parafundit të numrit personal të letërnjoftimit.
Në fazën e parë, po ashtu është lejuar rihapja e disa bizneseve.
Faza e dytë pritet të nisë nga 18 maji deri më 2 qershor, ndërsa e treta më 2 qershor.
Megjithatë, Ministria në detyrë e Shëndetësisë ka paralajmëruar se mund të ashpërsojë masat e izolimit, nëse rritet numri i të infektuarve me koronavirus.
Marrë parasysh të dhënat e fundit që ka publikuar IKSHPK, në Kosovë me Koronavirus janë infektuar gjithsej 945 persona, derisa numri i të shëruarve ka arritur në 690, ndërsa janë 29 persona që kanë vdekur si pasojë e Covid-19, shkruan FaktePlus.