Vështrim mbi sigurinë në komunikacion!
Shkrim autorial nga Ferat Shala & Liridon Sejdiu
Republika e Kosovës, si shtet i ri, në rrugëtimin e saj të tranzicionit po bart me vete specifika shumë të veçanta politike, ekonomike dhe sociale.
Në esencë, ky rrugëtim i Kosovës me vete po bart edhe plagë të së kaluarës dhe të tashmes, plagë të cilat do të duhej të shëroheshin dhe të mbylleshin me një afat sa më të shkurtër, që rrugëtimi i shtet-ndërtimit dhe i zhvillimit të jetë më i shpejtë, më dinamik, më i shëndetshëm dhe më reprezentues, brenda dhe jashtë vendit.
Në kuadër të këtij procesi, plagë dhe dhimbje aktive për Republikën e Kosovës po vazhdon të jenë edhe çështja e sigurisë në komunikacion.
Gjendja në komunikacion jo vetëm që nuk po përmirësohet, por po përkeqësohet në shumë dimensione. Ky problem po përcillet me një shkallë të lartë fataliteti, ku numri i aksidenteve me fatalitet, i atyre me lëndime të rënda e të lehta, si dhe i atyre me dëme materiale, është vërtetë shqetësues dhe si i tillë paraqet problem të madh social dhe ekonomik për vendin tonë.
Humbja e jetës së njerëzve, ngatë gjitha grup moshat, duhet të na sensibilizojë të gjithëve për të gjetur mënyra praktike në hartimin e politikave dhe strategjive të reja, që ky problem të fillojë të zgjidhet dhe që shkalla e aksidenteve të zvogëlohet deri në minimum. Problemi i aksidenteve në komunikacion është dukuri globale, prandaj ne duhet të shohim se ku jemi në relacion me shtetet dhe popujt që kanë specifika zhvillimore të njëjta, apo të përafërta me vendin tonë.
Ne duhet të shohim se ku jemi në raport me këtë problematikë, në relacion me vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe me shtetet e zhvilluara në përgjithësi. Por, për të parë më konkretisht se si qëndron puna në nivel global, në lidhje me të dhënat statistikore të aksidenteve, më poshtë po i citojmë shkurtimisht disa të dhëna (burime) të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH):
Përafërsisht 1.35 milionë njerëz humbin jetën si rezultat i aksidenteve në trafik;
Aksidentet në trafik i kushtojnë shteteve afër 3 për qind të GDP-së (Bruto Produkti Vendor) së tyre;
Afër 93% e aksidenteve me fatalitet ndodhin në vendet në zhvillim, ndërsa këto vende kanë 60 për qind të automjeteve në pjesëmarrjen e përgjithshme në botë;
Mesatarisht rreth 30 milionë lëndimet nga aksidentet e trafikut ndodhin brenda një viti. Ndërsa në Kosovë në bazë të dhënave nga Policia e Kosovës, nga viti 2014 deri në vitin 2018, janë regjistruare 6217 aksidente me lëndime, 549 aksidente me fatalitet dhe 631 persona kanë humbur jetën nga aksidentet në komunikacion.
Në këtë periudhë kohore (2014-2018), viti 2016 ka qenë viti me më së paku persona të vdekur në aksidente, me 110 raste, ndërsa viti 2017 ka qenë viti me më së shumti, 137 raste të vdekjeve nga aksidentet në komunikacion.
Nëse bëhet një krahasim ndërmjet vitit 2014 dhe 2018, kemi rritje të aksidenteve me lëndime për +27.50 për qind, ulje të aksidenteve me fatalitet për 9.90 për qind dhe rritje të rasteve të vdekjeve për +0.7 për qind.
Ky fenomen shqetësues është prezent edhe në vendet e BE-së. Për ta zvogëluar numrin e aksidenteve, BE-ja ka caktuar objektiva strategjikë, duke përdorur të gjithë mekanizmat institucionalë e shkencorë dhe duke përdor të gjithë faktorët ndikues për të arritur synimet në zvogëlimin e aksidenteve.
Po e ilustrojmë këtë sukses të BE-së duke pasqyruar statistikat dhe analizën e 32 shteteve të BE-së për periudhën 2010-2014, ku numri i aksidenteve me fatalitet është zvogëluar në mesataren 18 për qind, edhe pse synimet e BE-së janë që në vitin 2020 të arrijnë mesataren e zvogëlimit të aksidenteve me fatalitet në 24 për qind (Burimi: Këshilli Evropian për Sigurinë e Transportit).
Të dhënat e OBSH-së dhe të institucioneve tjera ndërkombëtare alarmojnë për një situatë të rëndë dhe me tendencë përkeqësimi. Secili shtet, qoftë rajonal, qoftë botëror, ka të veçantat e veta edhe në planin zhvillimor, social, të sigurisë së përgjithshme, por i ka edhe planet dhe strategjitë e veta drejt synimeve integruese. Kosova domosdo është e orientuar në fushën e politikave integruese drejt Bashkimit Evropian. Për t’i arritur këto synime integruese nevojitet që të kemi qarësi dhe dinamikë në plotësimin e shumë kritereve dhe standardeve edhe në fushën e komunikacionit, të transportit të brendshëm dhe relacionit ndërkombëtar.
Për shkak të specifikave dhe rrethanave historike Kosova është trajtuar (dhe ende trajtohet) si vend i izoluar në fushën e komunikacionit rajonal dhe ndërkombëtar. Ende nuk kemi lidhje direkt me korridoret rrugore evropiane.
Por, t’i kthehemi konkretisht temës bosht që sot është kthyer në shqetësim kolektiv në Republikën e Kosovës: siguria në komunikacion dhe numri i aksidenteve.
Për ta trajtuar këtë temë duhet analizuar një numër të caktuar të faktorëve bazikë shkencorë. Pra, nuk ka shërim të kësaj plage pa njohur dhe diagnostikuar qartë shkaktarët. Vetëm pasi t’i kemi identifikuar qartë faktorët ndikues, ne mund të marrim hapa dhe veprime për ta sanuar apo zvogëluar këtë dukuri.
Hulumtimet e shumta shkencore determinojnë qartë se janë katër faktorë kryesorë që ndikojnë në shkallën e aksidenteve në përgjithësi, e këta janë:
Faktori njeri;
Faktori rrugë;
Faktori automjet dhe
Mjedisi.
Secili nga këta faktorë është ndikues veç e veç. Ndikimi i tyre pastaj gërshetohet edhe me mjedisin dhe me faktorët tjerë dytësorë. Gërshetimi dhe kombinimi i këtyre faktorëve kërkon analizë dhe studim në nivel vendi, me pjesëmarrje të institucioneve politikëbërës në fushën e sigurisë së komunikacionit, të institucioneve ligjvënëse, institucioneve edukativo – arsimore e shkencore, institucioneve të sigurisë, gjyqësorit, si dhe të institucioneve tjera sociale dhe të planifikimit hapësinor, gjë që deri më tani këto institucione, diku më shumë e diku më pak, praktikisht janë të dështuara. Të gjitha politikat afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjate, janë hartuar pa një analizë paraprake të mirëfilltë për fushën e sigurisë së komunikacionit.
Secili nga këto institucione është temë e veçantë e trajtimit në fushën e komunikacionit. Shpresoj dhe besoj se hap pas hapi do t’i trajtojmë në punimet dhe shkrimet tona në vazhdim.
Faktori njeri
Tashmë është fakt i njohur se, përgjegjës dhe faktor kryesor për shkallën kaq të lartë të aksidenteve është vet faktori Njeri. Studimet e ndryshme tregojnë se pjesëmarrja e faktorit Njeri në aksidente është 80 – 85 për qind, ndërsa pjesa tjetër 15- 20 për qind janë faktorët e tjerë, si: rruga, automjeti dhe mjedisi.
Këto statistika na tregojnë qartë se, nëse dëshirojmë ta zvogëlojmë numrin e aksidenteve në nivel vendi, institucionet përgjegjëse shtetërore duhet të kenë parasysh që të gjitha politikat, strategjitë dhe investimet, duhet orientuar në faktorin njeri, gjë që deri më tani nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh. Fatkeqësisht, ky është problem parësor dhe shqetësues.
Nuk mund të zgjidhen problemet e sigurisë rrugore pa e trajtuar me top-prioritet faktorin kryesor: njeriun. Nëse institucionet tona shtetërore vetëm në dekadën e fundit kanë investuar dhjetëra miliarda euro në faktorin rrugë, bëjmë pyetje: sa investuam në faktorin njeri? Pak, fare pak!
Si të investohet në faktorin njeri?
Fushat dhe sektorët institucionalë shtetërorë duhet ta rrisin shkallën e përgjegjësisë dhe të vetëdijesimit me prioritet të lartë, në mënyrë që të hartohet apo qartësohet rruga e investimit afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë në faktorin njeri, si faktor kryesor i sigurisë së komunikacionit dhe sigurisë së përgjithshme.
Faktori njeri sa është i rëndësishëm po aq është edhe kompleks e specifik me karakteristikat e tij personale, me vetitë psiko-fizike, me edukimin dhe kulturën e tij, me personalitetin etj. Andaj, në këtë specifikë sociale, psikologjike, ekonomike, edukative, por edhe teknike e shkencore, duhet një trajtim multi-institucional. Bashkërisht duhet të trajtohet procesi i edukimit dhe i formësimit të faktorit njeri, qoftë si ngasës apo si këmbësor i përgatitur, i edukuar dhe i kulturuar njëherësh.
Për ta përgatitur faktorin njeri për komunikacion, pjesëmarrës duhet të jenë këto institucione:
Ministria e Arsimit dhe institucionet tjera arsimore dhe shkencore (shkollat e të gjitha niveleve, universitetet, institutet, shoqëria civile);
Ministria e Infrastrukturës;
Ministria e Punëve të Brendshme;
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Këto ministri do të duheshin t’i bashkërendojnë hapat institucionalë në identifikimin e problematikave bazike – në rastin konkret të faktorit njeri. Këto institucione duhet të veprojnë me urgjencë për një epoke të re për faktorin Njeri në komunikacion. /FaktePlus