Vështirësitë e gardianëve në burgje, kërkohet përforcim me rritje të stafit
Prania e fenomeneve negative si haraçi, droga, alkooli e dhuna, në burgjet e Kosovës, janë justifikuar me numrin jo adekuat të stafit. Për sigurinë e të burgosurve në burgjet e Kosovës, aktualisht Shërbimi Korrektues i Kosovës numëron gjithsej 1 mijë e 193 zyrtarë korrektues, duke përfshirë këtu 94 mbikëqyrës dhe 50 mbikëqyrës tjerë të lartë.
Ndonëse në Kosovë janë disa qendra burgimi, zyrtarët e Shërbimit Korrektues e kanë parë të udhës që stafit të tyre t’i bashkëngjiten edhe qindra persona.
Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus kanë thënë se për shkak të pensionimit të stafit, tani kanë planifikuar dhe pritet që numri i zyrtarëve korrektues, të rritet për 120 oficerë korrektues.
“Për shkak të pensionimit të stafit është duke u planifikuar të marrim staf të ri, dhe pritët të rritët numri edhe për 120 oficerë korrektues”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Mirëpo, oficerët korrektues shpesh herë janë ballafaquar me probleme në punën e tyre, madje ata shpesh edhe janë sulmuar fizikisht nga të burgosurit.
Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2018 e deri më sot janë regjistruar 17 raste kur gardianët janë sulmuar fizikisht nga të burgosurit.
Po ashtu, Shërbimi Korrektues herë pas here është përballur edhe me kritika, kur zyrtarët e saj nuk kanë kryer punën tyre siç duhet.
Vetëm gjatë vitit 2018 janë suspenduar 11 oficerë korrektues, ndërsa në këtë vit janë suspenduar 9 oficerë, por që pas ndëshkimeve 2 prej tyre janë kthyer në punë.
Rasti i fundit i suspendimit të gardianëve, ishte rasti kur një 23 vjeçar kishte bërë vetëvrasje në burgun e Dubravës. I burgosuri me inicialet F. I. kishte bërë vetëvarje me jelekun e tij në grilat prapa derës së dhomës së qelisë. Pas kësaj ngjarjeje janë suspenduar dy zyrtarë korrektues.
Sipas zyrtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, shkaqet më të shpeshta të suspendimeve të gardianëve, janë lëshimet në kryerjen e detyrave të tyre.
“Shkaqet e shpeshta të suspendimit të oficerëve korrektues janë, lëshimet në kryerjen e detyrave të punës, të cilat përbejnë shkelje disiplinore të rregullave të brendshme të punës dhe procedurave të sigurisë”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së për FaktePlus
Ndryshe nga statistikat e ofruara prej Shërbimit Korrektues të Kosovës shihet se aktualisht numri i përgjithshëm i të burgosurve ka arritur mbi 1mijë e 587 dhe ata po vuajnë dënimin nëpër qendrat e paraburgimit, qendrat korrektuese dhe burg.
Aktualisht, vuajtjen e dënimeve nëpër burgjet e Kosovës e kryejnë persona për vepra të ndryshme penale, e në mesin e tyre ka edhe të atillë që janë dënuar me burgim të përjetshëm. Në Kosovën e pasluftës janë dhënë së paku 3 dënime të tilla.
Shërbimi Korrektues i Kosovës menaxhon me gjashtë qendra të paraburgimit, tri qendra korrektuese, një qendër edukuese korrektuese dhe Burgun e Sigurisë së Lartë./FaktePlus