Veseli: Ushtria formohet në ditën e rënies së ish-komandantit të UÇK-së
Ushtria e Kosovës do të krijohet më 14 dhjetor 2018, që koincidon më 14 dhjetorin e vitit 1998 ku ra dëshmor ish-komandant Mujë Krasniqi-Kapuçi, bashkë me 36 luftëtarët e tij në kufirin shqiptaro-shqiptar pas një prite nga forcat policore serbe.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe njëherë ka bërë me dije se më 14 dhjetor do të krijohet ushtria e Kosovës e cila do të jetë ushtri e paqes.
“Domosdoshmërisht do të ndodh me 14 dhjetor ditën e rënies së Mujë Krasniqit dhe bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Do të jetë gëzim për të gjithë, për Kosovën e rajonin, ushtria do të jetë ushtri e paqes”, tha Veseli në një intervistë për RTK-në.
Sipas tij Kosova do të intensifikojë marrëdhëniet me IOWA në shumë fusha.
“Kosova do të jetë kontribuuese e paqes, Ushtria e Kosovës është garancë për stabilitetin e Kosovës e rajonit. Ne nuk duam konflikt, Serbia duhet të kuptojë se ushtria e Kosovës është e paqes”, tha Veseli. /FaktePlus