Veseli thërret përfaqësuesit e institucioneve dhe opozitën për koordinim
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar në një takim të përbashkët Presidentin, Kryeministrin, Ekipin Negociator, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga partitë opozitare ende të papërfaqësuara në Ekipin Negociator, LDK dhe VV, për t’u koordinuar për Dialogun.
“Në këto momente të rëndësishme, kur Kosova përgatitet për fazën finale të Dialogut me Serbinë, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të jetë vendi i unitetit”, ka thënë Veseli.
Deklarata e plotë e Kryeparlamentarit Kadri Veseli:
Në këto momente të rëndësishme, kur Kosova përgatitet për fazën finale të Dialogut me Serbinë, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të jetë vendi i unitetit.
Si Kryetar i Kuvendit, do t’i ftoj për të mërkurën, në orën 10:00, Presidentin, Kryeministrin, Ekipin Negociator, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga partitë opozitare ende të papërfaqësuara në Ekipin Negociator, LDK dhe VV.
Do të mblidhemi për të trajtuar temat e Dialogut, të cilat janë të domosdoshme për arritjen e marrëveshjes finale, që Kosovës ia siguron njohjen nga Serbia, ulësen në OKB dhe anëtarësimin në NATO e BE. /FaktePlus