Veseli takon krerët e Policisë: Kosova duhet të jetë e pakompromis kundër krimit e korrupsionit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Kosovës, me ç’rast i ka përgëzuar drejtuesit e saj për punën e jashtëzakonshme në zbatimin e ligjit në gjithë territorin e Kosovës.
“Drejtuesit e Policisë së Kosovës i përgëzova sot për punën e jashtëzakonshme në zbatimin e ligjit në gjithë territorin e Kosovës dhe krijimin e një ambienti më të sigurt për qytetarët tanë. Duhet të punojmë edhe më shumë që Kosova të jetë shembull i sundimit të ligjit, ku secili trajtohet në mënyrë të barabartë dhe të jemi të pakompromis në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, tha Veseli, raporton FaktePlus.
Me tutje kreu i Kuvendit ka shtuar se me drejtuesit e Policisë, kanë diskutuar edhe për pensionimin e parakohshëm të policëve.
“Diskutuam edhe për kërkesat që pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë për pensionimin e parakohshëm, sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor. Këto janë tri segmente tejet të rëndësishme për këtë institucion dhe ne do t’i adresojmë shumë shpejt ato”, u shpreh Veseli. /FaktePlus