Veseli: Shqetësues qëndrimi i Albin Kurtit kundër NATO-s
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka reaguar ndaj kryeministri Albin Kurti i cili ka thënë se në vitin 2013 ish-kryeministri Hashim Thaçi ka nënshkruar një marrëveshje të fshehtë me NATO-n, në të cilën thuhet se FSK-ja s’ka të drejtë të shkojë në veri.
Veseli, ka thënë se është shqetësues fakti që për herë të parë një Kryeministër i Kosovës i cilëson marrëveshjet me NATO-n në kundërshtim me interesat e Kosovës, përcjell FaktePlus.
Sipas Veselit, qëllimi ynë është anëtarësimi në NATO dhe jo largimi i tyre nga cilido cep i Kosovës.
Postimi i tij i plotë:
Është shqetësues fakti që për herë të parë një Kryeministër i Kosovës i cilëson marrëveshjet me NATO-n në kundërshtim me interesat e Kosovës.
Gjatë luftës sonë çlirimtare, kam qenë vetë dëshmitar i veprimeve të kësaj Aleance, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me ne, në interes të Kosovës, çlirimit të vendit tonë dhe kthimit të qindra mijëra qytetarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre.
Qëllimi ynë është anëtarësimi në NATO dhe jo largimi i tyre nga cilido cep i Kosovës.
Sot, sovraniteti i Kosovës nuk rrezikohet nga NATO dhe marrëveshjet me NATO-n, por nga agresiviteti dhe kërcënimet e Serbisë.
NATO është garanci e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës./FaktePlus