Veseli: S’e di a është problem taksa apo qëndrimet e ndara të kësaj qeverie
Kryetari i PDK-së Kadri Veseli pas takimit me liderët partiakë që e ftoi Ramush Haradinaj ka pasë një mesazh për pushtetin duke iu thënë se nuk është koha për beteja politke, por ato nacionale.
“Qeveria, presidenti po ashtu edhe Kuvendi i kanë përgjegjësitë e ndara dhe duhet të marrin përgjegjësi. Kam një mesazh për pushtetin – nuk jemi armiq. Zgjedhjet kanë përfunduar, s’është momenti i betejës politike. Është mirë që të fokusohemi në betejë nacionale që Kosova të dalë shumë më mirë, t’i forcojë raportet me BE-në dhe t’i forcojë edhe më shumë raportet me SHBA-të. Ajo çka është kryesore është t’i krijohet siguri gjeneratave të reja që s’do t’i kenë problemet që i kemi pasë ne si gjeneratë”.
Veseli ka thumbuar pushtetin duke thënë se nuk e di nëse është problem taksa apo qëndrimet e ndara brenda koalicionit qeverisës.
“Nuk e di a është problem taksa apo është mungesa e kësaj qeverie që të ballafaqohet me qëndrimet që i kanë të ndara mes vete. Nuk është me rëndësi se cili pozicion është i partive opozitare për shkak se ne nuk marrim vendim”.
“Pushteti duhet të ecë përpara në bazë të rrethanave aktuale të cilat janë shumë të kristalta, qoftë nga BE-ja, qoftë nga SHBA-ja. Ne duhet vetëm të futemi bashkarisht në këtë drejtim që e vë Kosovën në një pozicion më të mirë. Pushteti duhet të reflektojë në raport me opozitën, jo ta mundë opozitën. Është një përshtypje se më tepër është një ide se si të na mundin”.