Veseli: Prodhuesve do ua subvencionojmë deri në 80 për qind interesin e kredive
Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, sot është takuar me disa fermerë në Prizren.
Ai ka thënë se në qeverisjen e tij do të kenë përkrahje shumë më të madhe.
“Njerëzit që punojnë tokën janë kudo njerëzit më të përkushtuar dhe më të ndershëm. Të tillë janë edhe fermerët tanë, që me mund dhe djersë mbajnë familjet e tyre. Fermerët e Prizrenit, që sot i takova, por edhe të gjithë Kosovës, në qeverisjen time do të kenë përkrahje shumë më të madhe. I kuptojmë nevojat e tyre, prandaj edhe do t’i rrisim investimet në sistemet e ujitjes, do ta rrisim kapitalin e Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive dhe do ua subvencionojmë deri në 80 për qind interesin e kredive për prodhim. I kuptojmë rreziqet e punës, prandaj edhe do t’i sigurojmë produktet bujqësore dhe do të investojmë më shumë në ndërtimin e infrastrukturës moderne për grumbullimin, ruajtjen dhe paketimin e prodhimeve bujqësore.
Prodhimet bujqësore të tokës sonë do t’i përkrahim dhe në tregun e brendshëm përmes Ligjit të Përkrahjes së Produkteve Vendore”, ka shkruar Veseli.