Veseli: Kurti po merret me “Syrin e Popullit” sepse nuk ka aftësi për krijimin e Qeverisë
Kryetari në largim i Kuvendit dhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli, sërish e ka akuzuar kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurti e bashkëpartiakun e tij, Glauk Konjufcën, lidhur me organizatën “Syri i Popullit”.
Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, ku edhe është caktuar seanca konstituive e legjislaturës së shtatë me 26 dhjetor, Veseli tha se kjo organizatë nuk është fiktive, por reale.
“Tentativa për t’i ikur të vërtetës dhe paaftësia për ta krijuar koalicionin qeveritar me improvizime për Syrin e Popullit është një tentativë e dyfishtë nga paaftësia për të realizuar premtimin që e kanë pasur para qytetarëve të vendit Lëvizja Vetëvendosje. Syri i Popullit nuk është diçka fiktive por është reale. Ka njeri të plagosur. Ka njeri të zënë në flagrancë në veprim. Ka veprime të cilat janë konsistente të cilat janë promovuar që nga Kuvendi i Kosovës e pastaj edhe në rrugë”, ka thënë Veseli.
Mëngjesin e sotëm kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, kanë dëshmuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë rreth padisë që kanë bërë ndaj Kadri Veselit e Hashim Thaçit për shpifje lidhur me organizatën Syri i Popullit.
Por, sipas Veselit, pavarësisht të gjithave ai do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje, sepse nga kjo organizatë ka pasur djegie të makinave, sulme të eskortës së kryeministrit, sulme ndaj zëvendëskryeministrave dhe deputetëve.
“Pavarësisht ndonjë prokurori të korruptuar ose që frikësohet e mendon se në rrethana të reja mund t’i mbyllë rastet, nuk do të mbyllen rastet. Donë të thotë secili duhet të përgjigjet për veprimet që i ka kryer. A sa për mua, unë do t’i shkojë deri në fund në aspektin ligjor dhe bash nuk bënë përshtypje për asnjë individ”, tha Veseli.
Ndërsa, duke folur për seancën konstituive, Veseli ka theksuar se kjo seancë është procedurale.
Ai nuk ka preferuar të komentojë fare mos arritjen e koalicionit qeverisës mes Vetëvendosjes e LDK-së.
Derisa, ka treguar edhe për përvojën e tij si kryetar i Kuvendit.
“E ndjej veten shumë të lehtësuar, kam pas një fat që nuk ka qenë i lehtë por jam shumë i lumtur. Sot e përfundoj në mënyrë zyrtare mandatin tim. Ndoshta kam qenë më tepër vet i dëmtuar nuk kam dëmtuar asnjë deputet të Kuvendit të Kosovës. Nuk ka qenë një situatë e lehtë”, deklaroi ai.
Por, Veseli nuk ka treguar nëse do ta mbajë mandatin e deputetit gjatë legjislaturës së ardhshme./FaktePlus