Veseli kërkon votën në Shtime: Do jemi garanci e integrimit dhe jo izolimit
Ditën e tretë të fushatës zgjedhore Partia Demokratike e ka përmbyllur në qytetin e Shtimës, duke shpalosur platformën e tij qeverisëse.
Para qytetarëve, kandidati për kryeministër, Kadri Veseli ashtu siç e kishte nisur ditën, e përmbylli duke adresuar akuza të rënda ndaj dy liderëve të LDK-së dhe VV-së, duke e quajtur mundësinë e koalicionit të tyre si rrezik për izolimin e Kosovës dhe rritjes së korrupsionit.
Lideri i PDK-së atje kërkoi mbështetjen masive në zgjedhjet e 6 tetorit, teksa i pasqyroi të gjitha pikat e vizionit qeverisës.
”A do të orientohemi nga një koncept i ngushtë, i ndarë, i përçarë? Çdo të zezë që e ke vendi, që ka me mbajt Kosovën larg nga partneritetit me SHBA-në, me korrupsion më të madh dhe nepotizëm, ka me mbajt Kosovën me një zhvillim ekonomik të vogël, për arsye se kur ka konfrontim, nuk ka zhvillim ekonomik. E ky është koalicioni ndërmjet Mustafës dhe Kurtit. Këtë nuk duhet ta lejojmë me ndodhë. Kosova më 6 tetor nuk duhet të vë në rrezik një zhvillim që e ka pasur pozitiv. Një partneritet që ka qenë i jashtëzakonshëm me SHBA-në. Këtë fuqizim më shumë e ka bërë PDK. Ne do të jemi garanci e zhvillimit përpara. Ne do të jemi garanci të integrimit dhe jo izolimit”, tha Veseli.
Veseli gjithashtu paraqiti dhe disa nga pikat e tyre qeverisëse.
”Ka vizion ka vendosmëri, ka guxim, ka partneritet me ndërtu një Kosovë me ekonomi të dijës. Një Kosovë me ekonomi prodhuese, një Kosovë ku ka ndërmarrës. Një Kosovë ku ka rinia shpresë, një Kosovë ku përkrahen fermerët, ku fuqizohen ata në agroindustri. Një Kosovë ku përkrahen luftëtarët e lirisë, familjet e dëshmorëve, një Kosovë ku përkrahen pensionistët dhe ecë përpara”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i degës së PDK-së në Shtime, Rrahman Jakupi u shpreh falënderues ndaj gjithë të pranishmëve, teksa kërkoi votën për kandidatët për deputetë të PDK-së. /FaktePlus