Veseli ‘e nis fushatën’ në Prizren: Nga sot nisim punën për kthimin e PDK-së në krye të shtetit
Veseli nga Prizreni: Nga sot nisim punën për largimin e qeverive të mashtrimit dhe kthimin e PDK-së në krye të shtetit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë sot nga Prizreni tha se vetëm partia që ai drejton mund ta bëjë rimëkëmbjen kombëtare për shqiptarët.
Në ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lideri i PDK-së ka zhvendosur lidershipin e partisë në kryeqytetin historik nga ku ka shpalosur vizionin e ri të PDK.
“Orientimi ynë euroatlantik është i pakompromis, ndërsa çdo politikë që provon t’i prishë raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – është ftesë tinëzare për ato vende dhe gjeopolitika që e duan shkatërrimin e shqiptarëve”, tha Veseli.
“Më 6 tetor të vitit të kaluar ka ndodhur një mashtrim i madh politik, që ka vënë në rrezik shqiptarët. Qasja majtiste ekstreme dhe ideologjia anti-amerikane – kanë tronditur orientimin tonë kombëtar. Ndërsa, fryma e urrejtjes dhe e përçarjes brenda, dobësoi shtetin tonë dhe i hapi orekse pretendimeve antishqiptare. Ne nuk kemi njerëz për të humbur. Nuk kemi toka për të dhënë. Dhe, nuk lejojmë askënd të cenojë vlerat tona, lirinë, shtetin dhe kombin tonë”, tha Veseli.
Ai tha se në takim me Kryesinë qendrore të PDK në Prizren, po e fillon ngadalë edhe prezantimin para qytetarëve të Kosovës të platformës së rimëkëmbjes kombëtare.
“Platformë e ideologjisë djathtiste, që mbron vlerat tradicionale, ruan miqësitë dhe zhvillon lirinë”, deklaroi Veseli.
Ai tha se në qeverisjen e kaluar PDK ka lidhur Prizrenin me Tiranën përmes autostradës së Kombit, ndërsa u zotua se në mandatin e ardhshëm do ta lidhë Prizrenin me Tetovën.
Deklarata e plotë e kryetatit të PDK-së, Kadri Veseli:
Sot shënojmë me krenari 142-vjetorin e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, organizimit patriotik e politik mbarë-kombëtar, që sendërtoi kërkesat e shqiptarëve për një shtet të pavarur e bashkim të trojeve shqiptare kudo.
Nderojmë e kujtojmë me krenari këtë kryevepër historike shqiptare dhe udhëheqësit themelues të saj, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin dhe Sylejman Vokshin, që e nisën fushatën politike e ushtarake për një rimëkëmbje Gjithëshqiptare.
Ndërtesa që vizituam më parë – është tempull i shqiptarizmit. Nga këtu, ne duhet ta gjejmë çdoherë frymëzimin për të ecur përpara të bashkuar.
Sot, po ashtu, me krenari shënojmë 21-vjetorin e fundit të sundimit serb, përkatësisht ditën e nënshkrimit të kaputillimit të Serbisë agresore, që pas gati një shekulli i hapi rrugë lirisë së merituar të shqiptarëve.
Falë sakrificës heroike të popullit të Kosovës, jetës së mijëra vajzave dhe djemve, grave dhe burrave, e në veçanti falë organizatës ushtarake-politike më të denjë pasardhëse të LSHP-së, e kalitur në sfidat e rënda të luftës për liri dhe triumfuese: Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Falë edhe SHBA-ve dhe aleatëve tanë perëndimorë.
28 nëntor 1912 dhe 17 shkurti 2008, pas 10 qershorit 1878 dhe pas 10 qershorit 1999, janë dy momente historike unike për shqiptarët, që simbolizojnë dy histori të ndara padrejtësisht të shqiptareve, por dhe dy krenari të suksesit të tyre, që askush nuk ka të drejtë t’i paragjykojë, sulmojë dhe as cenojë për asnjë synim ose arsye.
Këto ngjarje historike dhe projekte politike as nuk përfaqësohen, e as nuk mbahen me simbolika, por jetësohen me veprime dhe vendime konkrete.
Bashkëpunimi dhe përafrimi i pandalshëm me Shqipërinë ka qenë dhe është busulla jonë kombëtare.
Orientimi ynë euroatlantik është i pakompromis, ndërsa çdo politikë që provon t’i prishë raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – është ftesë tinëzare për ato vende dhe gjeopolitika që e duan shkatërrimin e shqiptarëve.
Më 6 tetor të vitit të kaluar ka ndodhur një mashtrim i madh politik, që ka vënë në rrezik shqiptarët. Qasja majtiste ekstreme dhe ideologjia anti-amerikane – kanë tronditur orientimin tonë kombëtar. Ndërsa, fryma e urrejtjes dhe e përçarjes brenda, dobësoi shtetin tonë dhe i hapi orekse pretendimeve antishqiptare.
Ne nuk kemi njerëz për të humbur. Nuk kemi toka për të dhënë. Dhe, nuk lejojmë askënd të cenojë vlerat tona, lirinë, shtetin dhe kombin tonë.
Sot, nga Prizreni, ku kam mbledhur edhe Kryesinë e partisë për një takim të gjatë pune, si Kryetar i PDK-së po e filloj ngadalë edhe prezantimin para qytetarëve të Kosovës të platformës sonë të rimëkëmbjes kombëtare.
Platformë e ideologjisë djathtiste, që mbron vlerat tradicionale, ruan miqësitë dhe zhvillon lirinë.
Angazhimi ynë është për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo, mos-cenimin e kufijve të Kosovës, ruajtjen e lirisë dhe mbrojtjen e vlerave çlirimtare të popullit tonë.
Do ta sanksionojmë me ligj çfarëdo cenimi të këtyre vlerave historike dhe luftën e drejtë të UÇK-së.
Do të dënohet mohimi i krimeve të kryera nga Serbia dhe do të punojmë për të kërkuar drejtësi për çdo të vrarë e të zhdukur në Kosovë.
Do ta shënojmë dhimbjen tonë historike me muze dhe përkujtimore, ndërkohë që kemi proceduar në Kuvendin e Kosovës ligjin për vlerat e luftës.
Orientimi ynë është djathtist, që promovon të drejtat dhe liritë qytetare dhe lufton për to.
Ekonomia e konkurrencës është princip bazë i angazhimit tonë. Më pak fuqi Qeverisë dhe politikanëve, e më shumë fuqi ndërmarrëseve dhe të rinjve.
Më pak burokraci në vendimmarrje, më pak procedura dhe më pak tatime. Më shumë përkrahje prodhimit, eksportit dhe punësimit.
Ky do të jetë angazhimi im dhe i PDK-së.
Mposhtja e së keqes është domosdoshmëri.
Korrupsioni, abuzimi, mashtrimi duhet të ndalen dhe do t’i ndalim.
E kam filluar nga brenda dhe do ta çrrënjos deri në fund në tërë Kosovën.
Procesi i Vettingut për ndjekur e dënuar çdo të korruptuar dhe uzurpator të pronave publike, nuk është akt deklarativ, siç ka menduar qeverisja e mashtrimit.
Duhet dhe do të jetë platformë e përgjithshme që do ta luftojë krimin.
Siguria e sotme dhe e nesërme për Kosovën është jetike. Do të angazhohemi që Ushtria e Kosovës, si pasardhëse e drejtpërdrejtë e UÇK-së, të rritet, profesionalizohet dhe bëhet pjesë e NATO-së. Krahas sigurisë, do të punojmë çdo ditë për barazi e drejtësi për secilin qytetar. Shanse të barabarta për të gjithë.