Vërshimet: Komunat kërkojnë fond emergjent, Qeveria e Kosovës hesht
Viteve të fundit komunat e Kosovës po përballen me vërshime të shumta. Në mungesë të kompetencave dhe mjeteve financiare, ato nuk po mund të iu dalin në ndihmë qytetarëve të prekur nga reshjet e mëdha atmosferike.
Për këtë arsyeje ato po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës krijimin e një fondi emergjent, i cili do të menaxhohej nga institucionet lokale.
Vërshimet e fundit në Komunën e Dragashit e kanë bërë me urgjent krijimin një fondit të tillë.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë me dije se krijimi i këtij fondi është bërë nevojë.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se kjo është koha e fundit që Qeveria e Kosovës të vendos për këtë çështje.
“Po shihet se për çdo vit nëpër komunat tona po kemi vërshime nga të reshurat atmosferike dhe si pasojë po kemi dëme të materiale. Edhe këtë herë kukojmë që komunave t’iu mundësohet planifikimi buxhetor, të kenë një vijë buxhetore për raste të tilla buxhetore emergjente. Pra, Qeveria duhet t’i mundësoj komunave krijimin e fondit emergjent komunal”, ka thënë Ibrahimi.
Në këtë mënyrë, sipas tij, komuna më shpejt do të mund të përgjigjeshin në nevojat e qytetarëve të prekur nga vërshimet.
“Në bazë të legjislacionit në fuqi, komunat nuk kanë shumë kompetenca sa i përket përkrahjes së qytetarëve të prekur nga vërshimet përveç t’i aktivizojnë komisionet të cilët bëjnë vlerësimin e dëmeve. Komunat sa herë ka qenë e nevojshme i kanë aktivizuar këto komisione të cilat e bëjnë evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet. Pas evidentimit të dëmeve dhe marjes së vendimeve në kuvendet komunale atëherë këto lista barten në nivel qendror e cila për shkak të procedurave burokratike dhe të stërzgjatura, po vonon shumë në kompenzimin e dëmeve dhe përkrahja e shtetit po është shumë e vonshme”, ka thënë ai.
Ibrahimi e ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të reflektojë në këtë drejtim.
“Për këtë arsye, është koha e fundit që Qeveria duhet të iu mundësoj komunave themelimin e një vije buxhetore për emergjenca komunale sepse komunat menjëherë pas situatave të tilla mund t’i ndihmojnë qytetarët e tyre”, ka thënë Ibrahimi.
Komunat e Kosovës një kërkesë të tillë e kishin bërë edhe vitin e kaluar.
Pa vërshimeve në Komunën e Skenderajt dhe disa komuna tjera, në janar të vitit 2023, Asociacioni i Komunave të Kosovës kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ngre një fond të tillë.
Qëllimi i komunave është që qeveria ta krijon një fond emergjent në shërbim të komunave, i cili do të menaxhohej nga institucionet lokale.
Qeveria e Kosovës ka injoruar një kërkesë të tillë.
Kanë kaluar më shumë se një vit nga kërkesa e Asociacionit të Komunave të Kosovës, por Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë veprim në këtë drejtim.
Sazan Ibrhami ka thënë se deri me tani qeveria nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
“Jo, nuk kanë kthyer asnjë përgjigje”, ka thënë ai.
Nga vërshimet e fundit, më se shumti është prekur Komuna e Dragashit.
Pas vërshimeve, komuna është vizituar nga kryeministri Albin Kurti, i cili është zotuar se Qeveria do të jetë pranë komunës.
“Ishim në Komunën e Dragashit dhe fshatin Kuk. Vërshimet e djeshme nga reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe të infrastrukturës publike, për çka nevojitet ndërhyrje me prioritet. Megjithëkëtë, fatmirësisht nuk ka as të lënduar e as viktima. Me Komisionin vlerësues i cili po inspekton e analizon masën e dëmeve, po shohim se çfarë mund të riparojmë e rindërtojmë dhe të kontribuojmë nga niveli qendror. Falënderoj institucionet e shtetit për angazhimin e deritanishëm dhe Kryetarin e Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladinin për mikpritjen e tij sot dhe bashkëpunimin me ministrin Elbert Krasniqi. Qeveria është pranë komunës dhe qytetarëve, për të kaluar bashkë, sa më shpejt e sa më lehtë këtë situatë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.
Qeveria Kurti nuk ka treguar bashkëpunim të mirë me komunat. Për këtë arsyeje kryetarët e komunave shpesh i kanë braktisur takimet që i ka thirru kryeministri Albin Kurti.