Veriu ‘Las Vegas’ i Kosovës – Kush do t’i mbyllë lojërat e fatit atje?
Kuvendi i Kosovës ka kaluar me 69 vota pro në shqyrtimin e dytë projektligjin për ndalimin e lojërave të fatit. Shfuqizimi i tërësishëm i ligjit nënkupton mbylljen edhe të Lotarisë së Kosovës. Tashmë pritet që Qeveria të sjellë një ligj të ri veçmas për këtë lotari në mënyrë që ajo të hapet përsëri. Lojëra të fatit e kazino ka edhe në pjesën veriore të Kosovës. Por, institucionet e vendit nuk kanë asnjë informatë se sa është numri i tyre. Kurse, ditë më parë Polica e Kosovës ka treguar se këto ditë janë mbyllur mbi 200 lokale të lojërave të fatit pas aksionit të policisë në gjithë vendin.
Kuvendi i Kosovës mbrëmë ka vendosur që t’i mbyll lojërat e fatit dhe kazinot në tërë vendin për 10 vjet. Me 69 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim është shfuqizuar Ligji për Lojërat e Fatit, kështu që do të mbyllën të gjitha këto biznese.
Sipas Policisë së Kosovës deri tani janë mbyllur mbi 200 lokale të lojërave të fatit dhe janë sekuestruar qindra aparate të ndryshme.
Deri më tani as ATK dhe as Qeveria e Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë numër të saktë të kazinove që veprojnë në Kosovë. Vetëm se është thënë se asnjë nga to nuk kanë licencë për punën që bëjnë.
Veliu: Shteti nuk është vërejtur në pjesën veriore
Dora e shtetit nuk është vërejtur as në pjesën veriore të Kosovës. Në atë pjesë thuhet se nuk është mbyllur asnjë lokal i tillë. Madje nuk ka as informata se sa lokale të tilla ekzistojnë në atë pjesë.
Ditë më parë edhe kryetari i Shoqatës së Lojërave të Fatit, Istref Veliu tha se asnjë pikë e lojërave të fatit nuk është mbyllur në Mitrovicën Veriore.
“As edhe një pikë nuk është mbyllur në veriun e Mitrovicës, asnjë pikë nuk është mbyllur”, ka thënë ai.
ATK nuk ka informata për pjesën veriore
Kurse, në Administratën Tatimore të Kosovës kanë treguar për FaktePlus se për veriun e Mitrovicës nuk kanë asnjë statistikë.
“Për veri të Mitrovicës nuk kemi asnjë statistikë, pasi që nuk ka pasur ndonjë biznes të licencuar në atë pjesë të Kosovës. Nuk kemi pasur asnjë kërkesë për t’u licencuar, qoftë ndonjë biznes apo ndonjë njësi/lokal të lojërave të fatitë”, kanë thënë të premten në një përgjigje me shkrim zyrtarët e ATK-së.
Në lidhje me këtë, FaktePlus ka kontaktuar me zëvendëskomandantin për rajonin e Veriut, Besim Hoti.
Ai konfirmoi se janë mbyllur 24 bastore vetëm në ditën e parë të aksionit.
“Në ditën e aksionit për mbylljen e lojërave të fatit në Mitrovicën Veriore janë mbyllur gjithsej 24 bastore. Aksioni për mbylljen e tyre është në vazhdimësi”, tha Hoti shkurt për FaktePlus.
Se sa është numri i saktë i lojërave te fatit në këtë komunë, Hoti tha se këto të dhëna duhet të jenë të evidentuara në ATK.
Ditë më parë Policia ka treguar se njësiti për reagim të shpejtë ka hyrë me forcë në dy kazino “Millenium” dhe “Arena” në veri të Mitrovicës. Siç është raportuar gjatë aksionit policor, është konfiskuar aparatura që gjendej në lokale, si kompjuterë dhe pajisje të ngjashme.
Mbi 30 milionë tatime
Lojërat e fatit paguajnë mbi 30 milionë euro në vit në formë të tatimeve, akcizës etj. Por, pas ndalimit të tyre veç humbjes së 30 milionë eurove edhe mbi 4 mijë punëtorë do të mbeten pa punë.
Këtë e ka thënë kryetari i Shoqatës së Lojërave të Fatit, Istref Veliu, në deklaratën e dhënë për media ditë më parë.
Kjo shoqatë ka pasur mbledhje dje, por ende nuk kanë marrë ndonjë qëndrim se si to të veprojnë karshi situatës së krijuar.
Ndërkohë, sipas njohësve të fushës, Kosova nga kompanitë e huaja mund të paditet për një ndërprerje pa paralajmërim të lojëra të fatit.
Kujtojmë se iniciativa për mbylljen e lojërave të fatit e kazinove erdhi pasi gjatë javës së kaluar në Kosovë janë vrarë dy persona në këto hapësira. Një vrasje ka ndodhur në mëngjesin e së dielës në një kazino në qytetin e Suharekës e që dyshohet që u vra nga një rreshter i Policisë së Kosovës dhe një vrasje tjetër ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në një kazino në qytetin e Lipjanit./FaktePlus