Vendosja e reciprocitetit, Qeveria do t’i presë rekomandimet e bizneseve
Qeveria ka marrë vendim që të krijojë një grup punues, i cili do t’i identifikojë të gjitha barrierat tregtare me Serbinë, për vendosjen e masave të reciprocitetit. Ky është paralajmërimi që ka dhënë kryeministri Albin Kurti në edicionin e dytë të Konventës së Prodhuesve të Kosovës.
Sipas tij, parimet e reciprocitetit që do të nxirren nga Qeveria e Kosovës do të jenë të bazuara në parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe të CEFTA-s, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Ne nuk jemi për tarifa si masë ndëshkuese ndaj konsumatorit, por për reciprocitet si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve. Produktet që prodhohen në Kosovë e të cilat u nënshtrohen praktikave dhe konkurrencës joluajale do të mbrohen. Posa të vijnë në zyrën time rekomandimet do t’i analizojmë dhe do të marrim vendim për largim të tarifës dhe vendosje të reciprocitetit”, ka theksuar Kurti.
Ai ka shtuar se ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, ka bërë disa hapa të cilët sjellin edhe më afër heqjes së tarifës dhe vendosjes së reciprocitetit të plotë.
Në grupin punues të propozuar nga Ministria do të jenë anëtarët nga Departamenti i Tregtisë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda e Afaristëve të Kosovës, Dogana, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, si dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës./FaktePlus