Vendosen në karantinë disa familje nga Klina, dyshohet se patën kontakt me shtetasen italiane
Disa familje në Klinë janë vendosur në karantinë nëpër shtëpitë e tyre pasi dyshohet të kenë pasur kontakt me shtetasen italiane, 20-vjeçe, e cila ka qëndruar në këtë Komunë nga dita e dielë.
Lajmin e ka konfirmuar Dr. Hekuran Sejdiu, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Klinës.
Sejdiu ka thënë se autoritetet komunale janë duke vetë-izoluar familjet që dyshohet të kenë pasur kontakt me shtetasen italiane.
“Ajo italiania prej të dielës ka qëndruar në një kamp të Caritas-it, aty ka qëndruar. Tash ne jemi duke e bërë atë hartën se me kënd ka kontaktu dhe jemi duke i urdhëruar ata njerëz që të mos dalin nga shtëpitë. Ky është hapi i parë që kemi ndërmarrë. Bëhet fjalë për vetëizolim”, ka thënë Sejdiu.
Ai ka thënë se Komuna e Klinës do të konsultohet shumë shpejtë me Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me masat tjera. Ka thënë se po planifikohet që këto familje të izolohen në një karantinë tjetër.
“Po planifikohet një karantinë e mundshme që shumë shpejt këta njerëz me hy aty brenda. Aty është një kamp me 30-40 veta pjesëmarrje dhe ata kanë goxha kontakte”, ka thënë Sejdiu, për insajderin.
Shtetasja italiane ka arritur në Kosovë para pesë ditësh dhe punonte në një kamp të Caritasit./FaktePlus