Vendimi i Qeverisë: Shkollat në Kosovë do të mbesin të mbyllura
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka mbajtur mbledhjen e 16’të të saj, ku në të cilën vendosi që të vazhdohet pezullimi i vijimit të mësimit deri në një vendim tjetër.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më 11 mars mori vendim që të pezullohet mësimi në të gjitha nivelet akademike deri më 27 mars.
Ky vendim është ndryshuar sot duke nxjerrur një vendim tjetër.
Gjithashtu, lirimi i njërit prind nga puna nuk ka ndryshuar. Kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësorë dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë.
Më poshtë gjeni njoftimin e plotë nga Qeveria në detyrë e Kosovës.
Qeveria zhvillon mbledhjen e 16-të
Prishtinë, 26 mars 2020
Me kërkesë të kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, është zhvilluar mbledhja korresponduese, mbledhja e 16, në të cilën është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 01/07 të datës 11.03.2020 për parandalimin e infeksionit Corona Virus COVID-19.
Në vendimin e miratuar sot nga Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës thuhet:
1. Ndryshohet dhe plotësohet Vendimi i Qeverisë nr.01/07 i datës 11.03.2020 për parandalimin e infeksionit Corona Virus COVID-19.
2. Ndryshohet nën paragrafi 1.1. i paragrafit 1. të vendimit bazë, ashtu që ndërprerja e procesit edukativo-arsimor në Institucionet Arsimore Publike dhe Private në të gjitha nivelet vazhdon deri në një vendim tjetër, me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna ( kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësorë dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë).
3. Ky vendim është pjesë përbërëse e vendimit nr. 01/07 të datës 11.03.2020.