Vendi ku kompanitë e cigareve do të paguajnë për pastrimin e bishtave në mjedis
Kompanitë e cigareve do duhet që të paguajnë për të pastruar miliona bishta që hidhen pas konsumimit. Ky është rregulli i ri mjedisor në Spanjë.
Masa, që hyn në fuqi duke nisur nga e premtja, është pjesë e një sërë rregullash që pritet të nxisin rritjen e riciklimit dhe reduktimin e mbetjeve.
Ndër të tjera, i ndaluar do të jetë përdorimi i pjatave dhe takëmeve plastike, gotave polistireni, pipëzave plastike dhe do të kërkohet pakësimi i ambalazheve plastike të ushqimit.
Po ashtu, firmat e cigareve do të jenë përgjegjëse për inkurajimin e publikut që të mos i hedhë bishtat e cigareve në ambiente publike. Megjithatë, nuk dihet ende sesi do të implementohet pastrimi dhe sa do të jenë kostot.
Sipas parashikimeve pritet që kostot të jenë mës 12 dhe 21€ për qytetar në vit. Në total kostot shkojnë në 1 miliardë euro.
Ndërkohë, në fillim të këtij viti qeveria katalanase propozoi një skemë sipas të cilës, bishtat e cigareve mund të bliheshin për 0,20 € secili, duke shtuar 4 € në çmimin mesatar aktual prej 5 € për paketë.
Kompanitë e duhanit pritet të kalojnë koston tek konsumatori, duke ofruar një nxitje më shumë për ta lënë duhanin./A2CNN