Vendet europiane drejt lehtësimit të masave antiCovid
Fundi i emergjencës së pandemisë duket gjithmonë e më afër, teksa po shtohen vendet europiane që po lehtësojnë masat. Britania e Madhe mund të heqë të gjitha kufizimet për frenimin e përhapjes së Covid-19 që prej 21 Shkurtit, një muaj më herët se ç’ishte parashikuar.
Britania e Madhe pritet të jetë i pari vend në botë që ndërmerr një masë të tillë, e ndihmuar për këtë edhe nga vaksinimi i shumicës dërrmuese të popullsisë.
Autoritetet franceze po shqyrtojnë mundësinë e heqjes së detyrimit të certifikatës së vaksinës, që aktualisht lejon vetëm të vaksinuarit me dy doza të hyjnë në bare, restorante apo transport publik.
Përqindja e lartë e vaksinimit të popullsisë ka ndikuar në ruajtjen të pandryshuar të vdekshmërisë apo shtrimeve në spitale. Reduktimi i infektimeve me Omikron pritet të krijojë mundësinë e lehtësimit të masave në fund të Marsit ose në fillim të Prillit.
Detyrimin e maskave në ambiente të hapura e hoqën këtë javë Italia dhe Spanja. Të njëjtën masë e ka marrë edhe Nju Jorku. Kryevirologu Anthony Fauci tha se vaksinimi dhe kalimi i infektimeve e kanë bërë Covid-19 më të menaxhueshme, çka ndihmon në heqjen së shpejti të maskave.