Vëllai i policit që abuzoi seksualisht me nxënësen përfitoi qindra mijëra euro nga komuna
Polici nga Drenasi Veseli Veseli gjatë ditës së djeshme është arrestuar, pasi dyshohet se ka abuzuar seksualisht për disa muaj me nxënësen e mitur A.G nga Drenasi. E abuzimin seksual me nxënësen e shkollës “ Gjergj Kastrioti-Skënderbe”, fillimisht kishte bërë edhe profesori Shkëlzen Xhekaj, i cili po ashtu është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Abuzimi me 16 vjeçaren nga Drenasi kishte ndodhur gjatë vitit 2017 dhe gjatë vitit të kaluar. E gjatë këtyre viteve Ragip Veseli, vëllai i policit Vesel Veseli kishte përfituar qindra mijëra euro nga Komuna e Drenasit, përmes kompanisë së tij “G-Eng”. Edhe pse me banim në Drenas, Ragip Veseli ka angazhime edhe në komunën tjetër të Drenicës. Ai në muajin janar të këtij viti është zgjedhur edhe kryetar i klubit të Futbollit “Drenica” të komunës së Skënderajt, që drejtohet nga Bekim Jashari.
FaktePlus ka siguruar disa nga dosjet e tenderëve që kjo kompani ka marrë nga Komuna e Drenasit që aktualisht drejtohet nga Ramiz Lladrovci i PDK-së.
Veseli përfitime nga komuna ka realizuar edhe përmes kompanisë “Limora”, që është në pronësi të gruas së tij, Mimoza Morina-Veseli.
Kjo kompani tenderë në vlera të ndryshme të parave ka marrë kryesisht gjatë vitit 2018. Këta tenderë kanë të bëjnë kryesisht me ndërtime të rrugëve, shkollave e objekteve të tjera.
Kurse, kompania “G-Eng” që është në emër të Ragip Veselit ka përfituar tenderë nga komuna e Drenasit gjatë vitit 2017. Edhe tenderët që ka marrë kjo kompani kanë të bëjnë me ndërtime dhe rregullime të rrugëve, raporton FaktePlus.
(Disa nga tenderët e fituar nga kompania G-Eng që është në emër të Ragip Veselit)
Dyshimet se përfitime nga Komuna e Drenasit ka pasur vëllai i policit Vesel Veseli i ka thënë edhe Xhavit Drenori, ish- kandidati për kryetar të komunës.
Drenori ka thënë se vëllai i zyrtarit të dyshuar policor ka një firmë dhe merr tenderë nga Komuna e Drenasit.
“Vëllai i zyrtarit të dyshuar policor merr punë nga Komuna e Drenasit. Pra, këtu flitet për një konflikt të mundshëm të interesit sepse mund të ketë një ndikim…Këto lidhje duhet të hulumtohen”, ka thënë Drenori mbrëmë në një paraqitje televizive.
Gjatë ditës së djeshme përmes një postimi në Facebook, Drenori kishte thënë se dyshon që edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka qenë në dijeni edhe më herët për veprime të njëjta të policit Vesel Veseli.
“Ka dyshime qe kryetari Lladrovci ka qenë i informuar më herët me veprime të paligjshme të policit V.V. të natyrës së njëjtë me një zyrtare komunale”, ka thënë ai.
(Disa nga tenderët të fituara nga kompania “Limora”, që është në pronësi të gruas së tij, Mimoza Morina-Veseli)
E për këto pretendime të Drenorit, ka reaguar kryetari Ramiz Lladrovci duke i quajtur shpifje deklaratat e Drenori dhe ka dorëzuar padi ndaj tij në gjykatë.
“Sapo kam deponuar padi për shpifje, ndaj ish asamblistit komunal Xhavit Drenori, i cili situatën tejet të rënduar në komunën tonë, e ngarkon edhe më shumë, me shpifje dhe dezinformata”, ka thënë të premten Lladrovci.
Ai qysh më parë ka theksuar se rasti që ndodhi në Drenas është i rëndë dhe se nuk ka pasur se si të jetë në dijeni për të bëmat e policit.
Lladrovci shtoi se ka besim në organet e rendit, të hetuesisë dhe gjyqësorit se do ta zbardhin tërë rastin e abuzimit të së miturës, duke dhënë dënimin për secilin që ka rënë ndesh me ligjin, “sikur që pres edhe dënim për ata që shpifin nga motivet e tyre të sëmura”.
Kujtojmë se sipas ankesës së nxënëses 16 vjeçare, profesori ishte personi i parë që kishte abuzuar seksualisht me të, deri sa ajo e kishte denoncuar tek i dyshuari i dytë tashmë i arrestuar, zyrtari policor Vesel Veseli.
Por fatkeqësisht, pas marrjes së deklaratës në Stacioni e Policisë në Drenas, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe ekspertizës mjekoligjore, polici Vesel Veseli, nën kërcënim dhe shantazh e kishte futur në dorë nxënësen.
Siç është raportuar, pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vit, vajza kishte mbetur shtatzënë. Mandej polici Veseli e kishte detyruar vajzën të abortonte në klinikën e gjinekologut Fehmi Ahmeti në Prishtinë.
Tashmë polici dhe profesori janë arrestuar dhe u është caktuar masa e parë e paraburgimit prej 30 ditësh./A.B- FaktePlus
(Dëshmi se kompania “Limora” dhe kompania G-Eng janë pronë e familjes Veseli).