Veliu e Osmani si “maca me miun”, a po përçahet LDK-ja? – Flasin analistët
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e Isa Mustafa assesi nuk po arrijnë deri te një marrëveshje për bashkëqeverisje. E me zvarritjen, subjektet vetëm po publikojnë ditë pas dite oferta për njëra tjetrën, të cilat asnjëra nuk po i pranon. Kjo ka sjell edhe daljen në pah të mosmarrëveshjeve brenda LDK-së, respektivisht përplasjen mes dy nënkryetarëve të LDK-së, Agim Veliut e Vjosa Osmanit.
Ka kohë që dy nënkryetarët e LDK-së assesi nuk po bien dakord me njëri tjetrin. Së fundmi Veliu e Osmani sërish kanë dalë mbrëmë me deklarata të ndryshme për ofertën e fundit të cilën ia ka ofruar Lëvizja Vetëvendosje për të lidhur një koalicion me LDK-në.
Derisa, Veliu e quajti ofertën e fundit të Vetëvendosjes si jo serioze, bashkëpartiakja e tij, Osmani ka dalë me deklaratë të kundër. Ajo ofertën e Vetëvendosjes e ka cilësuar si serioze.
Këto kundërthënie mes dy figurave me rëndësi në LDK, njohësi i çështjeve politikeve, Nexhmedin Spahiu thotë se janë tregues se nga partia e Isa Mustafës mund të ketë sërish shkëputje të ndonjë fraksioni.
“LDK është parti e cila brenda vetes ka shumë pikëpamje të ndryshme. Kështu që ajo çfarë është e njohur deri më tani është se zonja Osmani ka qenë pro koalicionit me Vetëvendosjen. Nuk ka qenë shumë e kursyer në atë që të bëhet koalicioni me Vetëvendosjen dhe Agim Veliu ka qenë shumë i rezervuar. Këto janë çështje të cilat brenda LDK-së, sigurisht i neutralizon Isa Mustafa dhe mendoj që pazarin megjithatë e bën Isa Mustafa në bazë të interesave të tij dhe jo të zërave të cilët dalin nga LDK-ja në njërin a po në krahun tjetër. Nuk mund të ketë përçarje në LDK. Nga e kaluara kemi parë se mund të shkëputet një fraksion, por gjithsesi LDK bazohet mbi trashëgiminë e Ibrahim Rugovës dhe tek ajo trashëgimi ngelet gjithmonë shumica, ai që e dominon”, tha Spahiu për FaktePlus.
Edhe përkundër zvarritjes e mospajtimeve, Spahiu është shprehur optimist për arritjen e koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai ka theksuar se nëpërmjet bisedave të stërzgjatura, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, po mundohet që ta poshtëroj liderin e LVV-së, Albin Kurtin.
“Ndoshta edhe do të bëhet koalicioni LVV-LDK, por që përmes këtyre bisedave të stërzgjatura, Isa Mustafa po tenton ta poshtëroj sa më shumë Albin Kurtin, në mënyrë që ta mbajë atë gozhduar gjatë qeverisjes së tij. Përpiqet ta lodh opinionin publik për të parë sa është i rëndësishëm dhe ta kërcënoj vazhdimisht që me prishjen e koalicionit dhe që do t’i trembet edhe publikut”, tha ai.
Ndërkaq, mbrëmë (14.01.2020), Albin Kurti është pajtuar që pozita e Presidentit të shtetit në vitin 2021 t’i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe plus një ministri të cilën do ta përzgjidhte Isa Mustafa, madje ka kërkuar shtimin e ministrive në 14 sosh.
E për shtimin e numrit të ministrive, Spahiu ka një shpjegim interesant.
“Albin Kurti ka bërë një ofertë të re, e cila duket se është kërkesë e Isa Mustafës që të shtohen dhe dy ministri përkatësisht që njëra t’i takoj LDK-së dhe tjetra Listës Serbe. Kjo tregon që Isa Mustafa po përpiqet që gjithqysh të siguroj zgjedhjen e tij si president dhe duket se ka qenë kërkesë e Listës Serbe që ta kenë dhe një ministri në mënyrë që ta votojnë Isën për president në kohë kur të zgjidhet”, përfundoi ai.
Kujtojmë se dje në orët e mbrëmjes është bërë publike oferta e fundit e Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar LDK-së. Këtë ofertë disa eksponent të LDK-së e quajtën si joserioze e disa tjerë serioze. Në fakt nxori kundërthëniet e Agim Veliut dhe Vjosa Osmanit.
Si do qoftë oferta e Vetëvendosjes duket se nuk është pranuar, pasi sot Lidhja Demokratike e Kosovës ka dërguar ofertën e fundit të saj për LVV-në, shkruan FaktePlus.
Kjo është oferta e fundit e bërë më 14 janar 2020 nga Lëvizja Vetëvendosje për LDK-në:
Kjo është oferta e fundit e Lidhjes Demokratike të Kosovës bërë më 15 janar 2020 për LVV-në: