Veliu bashkëbisedon me Kosnettin, flasin për luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit
Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka zhvilluar një takim virtual me Ambasadorin amerikan në Kosovë Philip Kosnett, me të cilin ka folur për forcimin e luftës kundër të gjitha formave të krimit të organizuar, korrupsionit, parandalimit dhe luftimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Sipas një njoftimi të Zyrës për Komunikim Publik, Kosnett ka theksuar se bashkëpunimi me institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojë, përfshirë edhe me ato që sigurojnë sundimin e ligjit, i veçuar me përparësi të lartë për Shtetet e Bashkuara, përcjell FaktePlus.
Kurse Veliu e ka falënderuar atë për mbështetjen e ShBA-së për sektorin e sigurisë.
Njoftimi i plotë:
Ministri i Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, ka mbajtur takim virtual me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Philip Kosnett
Temë kryesore e këtij takimi ishin prioritet e Ministrisë me theks të veçantë forcimi i luftës kundër të gjitha formave të krimit të organizuar, korrupsionit, parandalimit dhe luftimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për situatën aktuale të pandemisë dhe zbatimin e masave për parandalimin dhe mbrojtjen nga COVID-19, sipas Manualit të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Me këtë rast, ministri Veliu ka falënderuar ambasadorin Kosnett për mbështetjen e fuqishme që SHBA ka dhënë për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe sektorin e sigurisë në përgjithësi.
Në anën tjetër, Ambasadori Amerikan Philip Kosnett theksoi se bashkëpunimi me institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojë, përfshirë edhe me ato që sigurojnë sundimin e ligjit – i veçuar me përparësi të lartë për Shtetet e Bashkuara.
Ministria e Punëve të Brendshme -Zyra për Komunikim Publik