“Veç në bisedime”, Kosova ende s’ka marrëveshje me Pfizer për vaksinën antiCOVID
Kosova ende nuk ka arritur asnjë marrëveshje për sigurim të vaksinës antiCovid. Madje edhe kompania Pfizer, ka konfirmuar se tani për tani janë veç në bisedime, por që nuk ka asnjë marrëveshje me qeverinë e Kosovës. Kurse, nga AstraZeneca kanë thënë që shpërndarja e vaksinën në secilin vend do të drejtohet nga qeveria përkatëse.
Pfizer konsiderohet vaksina më e sigurt kundër COVID-19, mirëpo edhe çmimi i saj është më i larti, shkruan FaktePlus.
Me këtë kompani, Qeveria e Kosovës ka filluar bisedime, mirëpo marrëveshje për sigurimin e vaksinave ende nuk ka.
FaktePlus ka kontaktuar kompaninë Pfizer për të marrë detaje rreth çfarëdo marrëveshjeje ekzistuese, mirëpo këta të fundit nuk kanë dhënë detaje.
Zyrtarja për informim, Urša Lakner, ka thënë për FaktePlus se Pfizer dhe BioNTech janë në bisedime me Qeverinë e Kosovës.
“Ne jemi në bisedime me Qeverinë e Kosovës që të sigurojmë vaksina. Mirëpo deklaratat me qeverinë janë konfidenciale dhe nuk kemi asgjë për të deklaruar tani për tani.”, tha Lakner.
Se a ka ndonjë datë për prurjen e vaksinave në Kosovë, Lakner ka thënë që për këtë nuk mund të japë përgjigje.
“Kërkoj falje, por nuk mund të përgjigjemi në këtë pyetje ende.”, ka thënë Lakner.
Lakner më tutje ka thënë që Pfizer dhe BioNTech janë zotuar të sjellin vaksinën që ta ndihmojnë shëndetin public në gjithë botën.
Kosova tani për tani ka marrëveshje me AstraZeneca-n, për të cilën u tha se më 17 mars nxjerr kontigjentin për Kosovën. Mirëpo si duket as gjatë marsit nuk do të ketë vaksina kundër COVID-19.
Nga AstraZeneca për FaktePlus kanë thënë që shpërndarja e vaksinën në secilin vend do të drejtohet nga qeveria përkatëse.
“Qasja strategjike e AstraZeneca është përqendruar në partneritetin me shkencëtarë, qeveri, organizata shumëpalëshe dhe prodhues për të vendosur marrëveshje për zhvillimin dhe furnizimin e vaksinës nëse ajo merr miratimin në vende. Ne kemi krijuar një numër zinxhirësh furnizimi paralelisht në të gjithë botën për të mbështetur hyrjen e gjerë dhe të barabartë pa fitim gjatë periudhës pandemike dhe do të vazhdojmë të krijojmë partneritete shtesë për të dhënë këtë angazhim. Shpërndarja e vaksinës në secilin vend do të drejtohet nga Qeveria individuale në atë vend.”, kanë thënë nga AstraZeneca.
FaktePlus ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi nuk kanë kthyer përgjigje.
Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit kundër COVID-19, dhe nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar se kur mund të arrijë kontigjenti i parë i vaksinave në Kosovë, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhënë për REL-in më 22 mars.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë javës së kaluar për mediat vendore ka thënë “se më 17 mars do dal nga prodhimi kontingjenti i parë i vaksinave për Kosovën” dhe se sipas tij, mbetet çështje ditësh arritja e tyre në Kosovë.
Vaksina e parë që pritet të arrijë në Kosovë është ajo e kompanisë britanike/suedeze AstraZeneca, e krijuar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit.
Qeveria e kaluar ka thënë se Kosova do të pranojë kontingjentin e parë të vaksinave të AstraZenecas në muajin mars. Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave, që Kosova pret t’i marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në mungesë të vaksinës, Shqipëria gjatë fundjavës së kaluar ka vaksinuar rreth 500 punëtorë shëndetësorë të Kosovës me vaksinën e AstraZenecas ./FaktePlus/