Vdiq gazetari Zijadin Gashi
Gazetari Zijadin Gashi ka vdekur të martën në moshën 51-vjeçare, kanë njoftuar familjarë të tij.
Në muajt e fundit të jetës, Gashi u përball me sëmundje të rëndë.
Gashi e ka ushtruar profesionin e gazetarit prej vitit 1997, duke mbuluar aktualitetin politik në Kosovë. Ka punuar në disa mediume në Kosovë.
Më herët gjatë vitit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i ka ndarë mirënjohje për kontributin e dhënë në gazetari, para dhe gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998-99.
Nga viti 2001 e deri më 2020 ka punuar për Radion Evropa e Lirë – si gazetar dhe një periudhë si shef i byrosë në Prishtinë – për të vazhduar më pas kontributin në media tjera në Kosovë.
Zijadin Gashi e ka përfunduar shkollimin e mesëm në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, për t’i vazhduar studimet në Universitetin e Prishtinës.
Ai ka lënë mbrapa vetes gruan dhe tre fëmijë, si dhe një trashëgimi të vlefshme në gazetari.