Vdes në QKUK 16 vjeçari që u plagos aksidentalisht nga familjari i tij polic
Ka vdekur jetë 16-vjeçari, i cili ishte plagosur aksidentalisht më 16 korrik, nga familjari i tij polic.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Ka ndërruar jetë viktima. Prokurori i shtetit ka urdhëruar të bëhet obduksioni”, tha ai.
I ndjeri fillimisht ishte dërguar në QKUK ku edhe pati kryer një operacion. Megjithatë, ai nuk ia arriti të mbijetojë dhe vdiq në spital.
Zyrtari policor, Fatjon Hoti tashmë ndodhet në paraburgim nën dyshimin për “Vrasje të rëndë në tentativë” të familjarit të tij 16-vjeçar.
Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, thuhej se sipas raportit të oficerit, të datës 16 korrik, rezulton se më 15 korrik rreth orës 23:35 kanë pranuar informatën se polici i gjeneratës së fundit Fatjon Hoti, me armë zjarri ka plagosur një person në shtëpinë e vet, e më pas policia kanë shkuar në vendngjarje dhe janë ndërmarrë veprimet.
Më tej, thuhej se sipas procesverbalit të marrjes në pyetje për dëshmitarin (i mitur) në Polici, ai në prezencë të përfaqësuesit ligjor ka deklaruar se “…unë e pashë armën e Fatjonit që e ka të punës duke e mbajt në dorë G,. Unë sa e kom pa G., asnjëherë nuk e ka raportirat por e ka nxjerrë karikatorin dhe ka fillu mi hek plumbat prej tij, plumbat G., i gjuajke në kauq, më duket se i ka hjek të gjitha plumbat prej karikatorit, pas kësaj e ka marrë Fatjoni armën dhe ka raportirat dhe e ka drejtu në drejtim të kokës së G., dhe kam dëgjuar që ka kërsit arma, unë nuk e kam dëgjuar asnjë fjalë që e ka dhënë Fatjoni”.
Aty thuhet se dëshmitari ka deklaruar se distanca mes të dyshuarit dhe viktimës ka qenë afërsisht 2 metra.