Vdekje e kushte të rënda në punë, nesër protestë simbolike në Prishtinë
Gjatë ditës së nesërme do të ketë protesta në Prishtinë. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Punëtorëve (BSPK) ka vendosur si rrallë herë që të protestojë të mërkurën për 1 Maj, duke kërkuar kushte më të mira për punëtorët në vendet e tyre të punës. Sipas statistikave nga 1 janari 2018 e deri më sot kanë humbur jetën së paku 25 punëtorë në vendet e tyre të punës.
Visar Behrami, 27-vjeçari nga Mitrovica është personi i fundit që ka humbur jetën në vendin e punës në Kosovë. I riu nga Mitrovica ka vdekur ditë më parë nën gërmadhat e pjesës së shembur të Hotelit “Adriatiku” në Mitrovicë.
Behrami ishte duke punuar në objektin e ish hotelit bashkë me tre punëtorë të tjerë, kur një pjesë e këtij objekti u shemb në orët e pasdites së të hënës.
Fat të ngjashëm sikurse të Visarit kanë pasur edhe dhjetëra punëtorë të tjerë në Kosovë.
Sipas statistikave nga 1 janari 2018 e deri më sot kanë humbur jetën së paku 25 punëtorë në vendet e tyre të punës.
E në kërkim të kushteve më të mira për punëtorët, si rrallë herë nesër do të protestohet në Prishtinë.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Punëtorëve ka treguar se në protestën e së mërkurës do të dalin me disa kërkesa për institucionet kompetente në vend.
“Do të jetë protestë simbolike, ku do të dalin federatat me aktivistët sindikalë. Kërkesat tona janë: kushtet sociale, nënshkrimi i marrëveshjes kolektive, paga minimale, siguria në punë dhe shëndeti e skemat pensionale”.
Më 1 maj do të protestojnë edhe punëtorët e Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës (SR-KEK).
“Punëtorët e KEK-ut janë pjesë e konsiderueshme që nuk e shijojnë pensionin pikërisht për arsye se nga rrezikshmëria në vendet e punës, si gazrat helmuese, pluhuri, djegia e thëngjillit e dridhjet permanente që shkaktojnë pajisjet e punës në KEK, marrin sëmundje të ndryshme e që janë profesionale dhe në Kosovë nuk vlerësohen si të tilla. Punëtorët e KEK-ut çdo ditë e kanë sfiduese dhe me rrezik për arsye të natyrës së punës që është aty. Në do të kërkojmë edhe më shumë siguri në punë dhe përpikëri me Ligjin e Punës dhe Ligjin për Siguri në Punë. Të krijohen të gjitha kushtet e mundshme që të jetë rreziku më i vogël në punë”.
Ditë më parë për kushtet e rënda të punëtorëve dhe vdekjet e tyre ne vendin e punës, ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNj), duke thënë se në Kosovë, punëtorëve nuk u sigurohen as kushtet për punë, nuk kanë kontrata pune e as sigurime shëndetësore.
“Realisht, sot në Kosovë nuk paraqet lajm nëse ndonjë punëtor lëndohet, bëhet i paaftë përjetësisht për punë apo edhe e humb jetën për faktin se punëdhënësi nuk siguron kushte për punë për të punësuarit, nuk kanë kontrata pune, nuk kanë sigurime shëndetësore e mos të flasim për sigurime të jetës. Në 99 për qind të rasteve e pësojnë punëtorët në 1 për qind të rasteve dënohen simbolikisht punëdhënësit për të vazhduar “vallen e vdekjes” të atyre që për shkak të kushteve të rënda ekonomike detyrohen që të punojnë në kushte skajshmërisht të rrezikshme për jetën, pa pasur fare siguri dhe pa u kompensuar familjet për humbje të jetës”, thuhet në reagim.
Sipas KMDLNj-së, thuhet se Kosova në përgjithësi e Prishtina në veçanti janë shndërruar në kantiere ndërtimi ku punohet pa orar, në ditë feste, ditë pushimi, në kushte të rënda atmosferike dhe madje punohet edhe gjatë natës pa pasur aspak konsideratë për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve.
Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore për vitin 2017, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sektori i ndërtimtarisë ka 12.9 për qind të personave të punësuar.
“Tregtia, prodhimi, ndërtimtaria dhe arsimi punësonin më shumë se gjysmën e personave të punësuar në vitin 2017. Tregtia punësonte 14.7 për qind, duke vazhduar me prodhimin 13.2 për qind, ndërtimtarinë 12.9 për qind dhe arsimi 9.5 për qind të personave të punësuar në Kosovë”, thuhet në raportin e ASK-së.
Përveç shkallës së ulët të punësimit në Kosovë, 23.1 për qind e personave të punësuar punojnë në vende pune të paqëndrueshme.
Sipas statistikave në pesë vjetët e fundit në Kosovë mbi 90 punëtorë e kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës. Kjo ka nxitur shqetësimin e organizatave që merren me të drejtat e punëtorëve, përfaqësues të të cilave kanë bërë thirrje për siguri më të madhe në punë.
Kryetari i BSPK-së Avni Ajdini ka kërkuar nga punëtorët që të marrin pjesë në protestën njëorëshe që do të mbahet nëser në Prishtinë dhe pastaj të festojnë në Gërmi dhe në vendet bregdetare.
“Pasi kemi jashtëzakonisht probleme serioze, protesta është për të drejtat e punëtorëve, por unë e kam një mesazh për të gjithë punëtorët që të dalin në Sheshin “Nënë Terezë’. Te Teatri Kombëtar do të mbahet protesta 45 minuta apo një orë (punëtorët) sigurisht që do të vijnë me mesazhet e veta, edhe ne i kemi përgatit mesazhet, që do t’ia përcjellim qeverisë për realizimin e të drejtave të punëtorëve. Pasi të kryhet protesta, atëherë i dëshiroj rrugë të mbarë për Durrës e Vlorë, Gërmi. Por, obligative dhe primare e tyre është për me i kërkuar të drejtat veta. Sepse duke i kërkuar të drejtat e tyre, ata rrisin edhe standardin familjar dhe është për të mirën e tyre”, thotë Ajdini./FaktePlus