Vazhdon rinumërimi në QNR, u rinumëruan 55 për qind
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon rinumërimi i 1407 vendvotimeve në bazë të vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe i vërtetuar nga Gjykata Supreme.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për FaktePlus se gjatë ditës së sotme deri në orën 16:00 janë rinumëruar 66 vendvotime që e ka quar në 772 vendvotime nga 1407 sa do të rinumërohen në tërësi.
“Në QNR është duke vazhduar procesi i rinumërimit të vendvotimeve për të cilat ka vendosur PZAP-i. Vetëm gjatë ditës së sotme, deri në orën 16, janë rinumëruar 66 vendvotime, ndërsa në përgjithësi numri i vendvotimeve të rinumëruara është 772 apo rreth 55%. Kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 635 vendvotime të tjera”, tha Elezi për FaktePlus.
Përpos këtyre vendvotimeve, më herët janë rinumëruar edhe 840 vendvotime tjera që e qon në 88.20 për qind të të gjitha vendvotimeve që do të rinumërohen. /FaktePlus