Vazhdon kontestimi i Fjalorit Enciklopedik të Kosovës
Pavarësisht fushatës mbrojtëse që këto ditë ka filluar kryeredaktori M.Kraja, kontestimi i Fjalorit Enciklopedik vazhdon dita ditës.
FaktePlus ka qenë njëra nder mediet e para që ka bërë publike ‘gabimet’ dhe jo profesionalizmin e kryeredaktorit në këtë fjalor.
Edhe pse ai po mundohet ta shpërndaj përgjegjësinë mbi redaksitë dhe redaktorët veç e veç, duke i fajësuar e me raste duke i quajtur ‘dezerter”, përgjegjësia kryesore për dështimin e fjalorit dhe paratë e shkuara dëm bie mbi kryeredaktorin.
Mbrëmë në T7 M.Kraja zbuloi diçka që askush në Kosovë nuk e ka ditur, ose të paktën nuk e ka thënë.
Pavarësisht që kolonel Tahir Zemaj është shpallur hero i Kosovës, për M.Krajën ai nuk e ka merituar të futet në fjalor sepse sipas Krajës, kolonelin vdekja e ka gjetur si kriminel.
Kraja i cili siç kanë raportuar mediet ka futur në këtë fjalor vajzat e veta, duke lënë jashtë figura të dëshmuara të artit, shkencës, kulturës, luftës historisë etj.
Fjalori qindra mijëra eurosh, vazhdon të kontestohet dhe pothuajse në përcepcionin publik është shpallur i papranueshëm, për shkak se në atë fjalor siç e ka pranuar edhe akademik Daci nuk ka pasur kritere të caktuara.
Fatkeqësisht nuk është vetëm Bajram Rexhepi (i harruar nga Kraja and company), por për inate personale të ASHAK-ut, siç merr vesh FaktePlus është lënë jashtë edhe heroi i Kosovës Fadil Vata.
Ky ‘gabim’ i lënies jashtë të heroit është bërë, pasi vëllai i tij, Prof.dr Ramë Vata, gjatë kohës sa ishte deputet në parlamentin e Kosovës, kishte kërkuar reformimin e akademisë.
Skandal në vete është edhe lënia jashtë Fjalorit e njërit ndër poetët më të njohur të Kosovës, po ashtu për inate personale të kryeredaktorit me të.
FaktePlus merr vesh që M. Kraja dikur kishte raporte shumë të afërta miqësore me këtë poet.
Siç duket sukseset e ish mikut të tij, kanë qenë të pakapërdishme për bossin e Fjalorit.
FaktePlus ka provuar shumë herë që të merr një prononcim të poetit në fjalë, i cili nuk ka dashur të flasë për këtë çështje me arsyetimin se ende nuk e ka parë këtë fjalor.
FaktePlus ka dërguar kërkesë për qasje në dokumente zyrtare të akademisë, për të prezantuar para publikut koston marramendëse financiare për këtë fjalor.
Deri më tani nuk kemi përgjigje.
Sot për ‘harresën’ e dr. Bajram Rexhepit është deklaruar edhe vajza e tij.
Njohës të ligjit në Kosovë pohojnë se M. Kraja nuk ka pasur të drejtë që inatet personale t’i manifestojë gjatë hartimit të fjalorit, ngase Fjalori është financuar nga paratë e taksave tona e jo nga buxheti familjar i tij. Po ashtu edhe futjen e vajzave në këtë fjalor, juristët e shohin si konflikt i pastër interesi. B.SH./FaktePlus