Vazhdojnë përleshjet në Jerusalem, 6 ushtarë i turren një të riu
Militantët palestinezë në Rripin e Gazës hodhën dhjetëra raketa drejt Izraelit të shtunën, duke nxitur sulme ajrore hakmarrëse, tha ushtria izraelite, pas vazhdimisht të përleshjeve mes protestuesve palestinezë dhe policisë izraelite në Jerusalem.
Shkëmbimi i zjarrit para agimit shënon thyerje të gjendjes relativisht të qetë në kufirin e Gazës, ndonëse duket se nuk do të ketë eskalim më të gjerë, pasi ushtria tha se nuk do të vendosë kufizime të sigurisë për izraelitët që jetojnë afër kufirit.
Në Jerusalem, tensionet mes palestinezëve dhe izraelitëve kanë qenë më të larta se zakonisht gjatë muajit të Ramazanit. Protestat u bënë të dhunshme të enjten, kur disa persona u arrestuan dhe disa u lënduan.
Përleshjet vazhduan edhe të premten në mbrëmje, kur të rinjtë palestinezë u grumbulluan afër Qytetit të Vjetër dhe u përleshën me policinë izraelite, shkruan Reuters.
Palestinezët e sulmuan policinë me gurë, ndërsa forcat e sigurisë gjuajtën me topa uji. Të tjerët e sulmuan me gurë ndërtesën e gjykatës izraelite dhe i thyen kamerat e sigurisë. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se tetë palestinezë u lënduan gjatë përleshjeve.
Në Bregun e pushtuar Perëndimor, palestinezët u përleshën me trupat izraelite përreth pikave ushtarake të kontrollit afër qyteteve të Bregut Perëndimor. Policia kufitare izraelite tha se shpërndau qindra persona që sulmonin me gurë dhe bomba zjarri.
Incidentet dhe përleshjet e dhunshme kanë ndodhur pothuajse çdo natë në Jerusalem që nga fillimi i Ramazanit më 13 prill.