Vazhdojnë përçarjet në Qeveri edhe zv.kryeministrja kundër vendimit për vetizolim pas kthimit nga Shqipëria
Qeveria e Kosovës pritet që të merr vendime të reja lidhur me masat parandaluese për Covid-19.
Njëra ndër to është edhe vetizolimi për qytetarët që hyjnë nga Shqipëria.
Ky vendim anipse ende nuk është marrë ka shfaqur edhe njëherë moskoordinimin në mes të partnerëve të Qeverisë.
E kontaktuar nga Front Online, zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimi ka thënë se ky vendim është shtyrë për një mbledhje të radhës, pasi sipas saj duhet koordinim edhe me Shqipërinë.
“Nuk është marrë vendimi ende për pak po presim me votu në mënyrë online dhe nuk merret ai vendim për pa u konsultuar ministri i Shëndetësisë tonë me atë të Shqipërisë atje për me marrë vendime të përbashkëta”, tha ajo për Front Online.
Balaj-Halimi ka insistuar se ky vendim nuk do të merret sot apo nesër për pa u konsultuar ministri i Shëndetësisë së Kosovës me atë të Shqipërisë lidhur me masat e reja.
Ajo ka thënë se Kosova për mbylljen e kufirit me Shqipërinë nuk mund të vendos njëanshëm.
“Në asnjë mënyrë nuk mundemi me marr ne si Qeveri vendim të njëanshëm. E kam kundërshtuar dhe nuk del ai vendim”, ka dhënë Balaj-Halimi.
Balaj është shprehur e prerë se ky propozim nuk do të del në rend ditë për votim sot në mbledhjen e Qeverisë që pritet të mbahet online.
“Nuk del vendimi me pika të tilla, pa u konsultuar dy ministrat e Shëndetësisë me njëri-tjetrin”, ka dhënë Balaj-Halimi.
Ajo më tutje ka treguar se ministri Armend Zemaj dhe ai i Shëndetësisë i Shqipërisë do të mbajnë takim dhe do të vendoset më tutje për masat e reja.
“Besoj sot ministri i Shëndetësisë i yni kërkon takim ose online ose direkt, ose nesër deri nesër ka mundësi me u konsultu me ministrin e Shëndetësisë të Shqipërisë për masat e reja”, ka thënë ajo.
Zëvendëskryeminstrja Balaj-Halimi që vie nga radhët e NISMA-s ka thënë se e kundërshton vendimin për izolim të qytetarëve për dhe nuk e përkrah.
“As unë nuk dua që të ndodhë kjo, kam qenë kundër e kam kundërshtuar edhe janë shtyrë këto pika për masat që i ka paraparë Instituti bashkë me ministrin e Shëndetësisë për një mbledhje të radhës nëse është e nevojshme”, tha ajo për Front Online.
Gjatë ditës edhe ministrja e Punëve të Jashtme që vjen nga AAK-ja, Melizaj Haradinaj-Stublla ka kundërshtuar këtë vendim duke e quajtur absurd.