Vazhdojnë kërcënimet ndaj gazetarit Vullnet Krasniqi
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës të premten ka njoftuar se ndaj gazetarit Vullnet Krasniqi po vazhdojnë kërcënimet me jetë nga i njëjti person.
Sipas AGK-së, personi me inicialet R.XH. nga Lugina e Preshevës ka vazhduar ta kërcënojë me jetë gazetarin Krasniqi përmes videove të publikuara në TikTok. Siç shkruan AGK-ja, në video ky person thotë se planifikon ta vrasë gazetarin.
“Mu’ s’mund te m’arrestoni, kurrë hiç, e 700 mijë vjet, harrojeni këtë…A Vullnet Krasniqi, ty të kam tregu se edhe sytë kam me t’i djegë cigare, mos gabo me dalë…Unë kam me ta q” f”miljen për Gold AG…Kur të më arrestoni ju Policia e Kosovës, unë ua jap dorë, ju thom hallall ju koftë…Vullnetin, kam me gjete, mbajeni në mend çka po ju thom, 16 copa kam me ja njeh, rafall…”, ka thënë ai ndër të tjera në një nga videot e publikuara, sipas AGK-së.
R.Xh., siç thotë AGK-ja, ka vazhduar me ofendime, fyerje dhe sharje ndaj gazetarit Krasniqi dhe familjes së tij edhe në disa video të tjera të publikuara gjatë ditës së djeshme, “ku shfaqet me armë të ftohtë në video, duke i dërguar të fala edhe prokurorit të rastit të gazetarit”.
AGK-ja është shprehur e alarmuar me këto kërcënime, ndërsa i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të njoftojë për veprimet që i ka marrë për ta lokalizuar personin që po kërcënon.
“AGK-ja, i bën thirrje të gjithë personave publik që të mos kontribuojnë në gjuhën denigruese ndaj gazetarëve, pasi që siguria e tyre fizike vazhdon të jetë sfiduese në Kosovë, me theks të veçantë nga mungesa e shqiptimit të dënimeve meritore për sulmuesit e kërcënuesit”, thuhet në reagim.