Varrimet dhe të pamet, BIK tregon se si duhet të veprohet pas lehtësimit të masave
Kosova tashmë ka hequr të gjitha kufizimet e lëvizjes dhe ato të veprimtarive të ndryshme. Që nga 1 qershori janë hapur të gjitha bizneset dhe ka filluar puna në gjithë sektorin publik dhe atë privat. Janë hapur edhe institucionet fetare.
Qeveria e Kosovës ka publikuar vendimin që ka marrë në muajin mars ku ndalon lëvizjen e qytetarëve në orare të caktuara, dhe ndalime të tjera për parandalim të përhapjes së koronavirusit. Me këtë vendim janë ndaluar edhe ceremonitë e varrimeve.
Me pikën 4 të vendimit, qeveria ndër të tjera, ka ndaluar tubim të njerëzve në ceremonitë mortore. Aty thuhet se në varrime kanë të drejtë të marrin pjesë vetëm familjarët e ngushtë të të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit.
E për këtë edhe Bashkësia Islame e Kosovës pati nxjerrë vendim për pezullimin e ceremonive fetare në vend. Në kuadër të kësaj u mbyllen edhe xhamit e Kosovës.
“Të pezullohen përkohësisht të gjitha organizimet me rastin e ngushëllimeve dhe ceremonia e varrimit të organizohet me rrethin e ngushtë familjarë. Të shtyhen ceremonitë si synetitë, mevludet, qelimet, fejesat, dasmat e tjerë”, pati thënë kreu i BIK-ut, Naim Tërnava.
Ndërkaq me lehtësimin e masave nga rekomandimet shëndetësore lejuan hapjen e xhamive, pjesëmarrjen në varrime dhe të pame.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kontaktuar Bashkësinë Islame të Kosovës për të mësuar nëse po lejohen të pamet dhe pjesëmarrja në varrime.
Ahmet Sadriu, sekretar i përgjithshëm i BIK-ut ka thënë për FaktePlus se pjesëmarrja në varrime dhe të pamet lejohen por që duhet t’iu përmbajnë rregullave strikte.
“ Të pamet dhe pjesëmarrja në varrime lejohet, mirëpo kjo duhet zhvilluar duke respektuar rekomandimet e dhënë nga Instituti i Shëndetit Publik. Të njëjta rregulla që janë dhënë për të gjithë duhet të zbatohen edhe në këto raste”, ka thënë Sadriu.
Ndryshe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka rekomanduar që të mahet distanca fizike dhe të përdoret maska.
Tutje në Kosovë ditëve të fundit janë shtuar raste më koronavirus. Mbi 151 raste janë shënuar që nga 1 qershori, Vushtrria është qyteti i cili prinë me më shumë raste./FaktePlus