Vargjet që flasin për njeriun e njerëzimin
Pas librit me aforizma “Gurrë urtie”, Ferdane Sahiti ua dhuron lexuesve librin e saj të ri, kësaj radhe një vëllim poetik. Nëse në librin pararendës, lexuesi u freskua nga gurra e urtisë, kësaj radhe lexuesi freskohet në gurrën e vargjeve, burimi i të cilave gjendet thellë në zemrën e poetes. Ferdanja, përmes poezive dëshmoi fuqinë e fjalës, fuqi e njohur edhe nga librat kanonikë hyjnor. Për autoren, fjala është ilaç që shëron dhe helm që shkakton plagë të rënda në zemrat e njerëzve. Fjala është fuqia e padukshme që e mban globin. Për fjalën, njeriu bëhet theror, pasi që duhet të ekzistojë “…liria e fjalës pa u gjykuar.”
Vargjet e Ferdanes udhëtojnë në kohë dhe në hapësirë. Ato kthehen në të kaluarën, ku autorja ndien krenari me përkatësinë dhe kthehet në të sotmen, ku të tjerët të dërgojnë në zgrip të mohimit fishtian. Ato sa udhëtojnë në kurbet me mall e sa kthehen në atdhe, kthim që shpeshherë e vë autoren dhe personazhin lirik buzë momenteve ekzistenciale. Në shumë poezi trajtohet çështja e identitetit nacional, i cili në radhë të parë del si krenari, ku e vërejmë në vargun: “…në burg a në liri; unë ndihem krenare se nga vij”, si “faj” që i takon asaj përkatësie apo edhe si peshë e madhe mbi supe për ta bartur historinë e nacionit. Atdheu i poezive të Ferdanes përpara se të jetë dashuri është dhimbje. Edhe pse personazhet lirike mundohen mos ta braktisin atdheun, ata prapëseprapë braktisen nga atdheu, i cili i kryqëzon këmbët dhe i lë jetim. Ferdanja nuk dëshiron ta lë fajin jetim. Madje ajo luan rolin e detektives duke ua shqerrë maskat atyre që e vendosin në peshojë fatin e atdheut. Ajo është e pamëshirshme ndaj atyre që vendosin partinë para atdheut apo edhe ndaj dogmatikëve që me kartën e metanarracioneve mundohen të përfitojnë për veten e duke e vrarë atdheun. Në asnjë çast, ajo nuk rresht duke luftuar entropinë shoqërore e shpirtërore, duke luftuar “skllavopronaret” që robërojnë e skllavët që pranojnë robërimin e atdheut e vrasjen e shpresës. Atdheu i Ferdanes është atdheu i romantikëve shqiptarë si mit i atdheut të lumtur me bukuritë, shenjtërinë e të mirat e Kosovës dhe në anën tjetër është atdheu i romantikëve arbëresh si mit i atdheut të humbur, ku kënga për mallin për atdheun mëton të bëhet vaj i humbjeve të mëdha.
Gruaja është figura dominante në poezitë e Ferdanes. Ajo na del si grua, në dorën e të cilit është fati i njerëzimit, si grua shqiptare, e cila vuan për shkak të mërgimit të bijve të saj dhe si nëna, si strehë e dashurisë për fëmijët e saj. Ajo është grua kryengritëse, e cila nuk dorëzohet edhe pse sfidat e jetës e kanë goditur gjatë gjithë jetës. Gruaja në poezitë e Ferdanes nuk është e vetme. Ajo me vete ka bekimin hyjnor, bekim që rrezon botën me dashuri.
Poezinë e Ferdanes duhet ta lexojmë mes rreshtave. Ajo nuk shkruan vetëm himne për atdheun, por edhe elegji për vuajtjet e atdheut. Ajo nuk shkruan vetëm për bukurinë e gruas, por edhe për fuqinë e saj. Ajo nuk shkruan vetëm për njeriun model, por edhe për njeriun që me djallëzitë e tij e tejkalon djallin. Teksa shkruan për dy llojet e njerëzve, poezia e saj është mësim për njeriun ideal në botën ideale, projektim të cilës do ta shohim në veprat tjera të Ferdanes, mbase në një roman.
Albin Mehmeti