Van Dijk: Duhet të jemi gati për një luftë të madhe ndaj Bayernit
Virgil van Dijk ka folur për sfidën, që e pret Liverpool-in në Ligën e Kampionëve, të mërkurën në mbrëmje. Fjala është për kthimin ndaj Bayern Munich, në fushën e këtij të fundit. Mbrojtësi holandez këmbëngul se ai dhe shokët e tij të ekipit duhet ta rrisin nivelin e lojës së tyre. Ballafaqimi i parë në “Anfield” ka përfunduar në barazim pa gola. Pra, gjithçka rifillon nga zeroja.
“Do të jetë një ndeshje emocionuese. Bavarezët luajtën shumë mirë në “Anfield”, u treguan mjaft të ngjeshur, veçanërisht në pjesën e prapme. Ata treguan shumë respekt ndaj nesh, – tha mbrojtësi qendror në një konferencë shtypi. – Bayerni e ndryshoi pak mënyrën se si luan zakonisht”, tha Van Dijk.
“Kthimi do të jetë më i vështirë për ne. Duhet të jemi gati për një luftë të madhe, sepse kundërshtari do të sulmojë me forca të shumta, veçanërisht në fillim. Do të jetë e vështirë dhe ne duhet të bëjmë më mirë sesa në ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve. Lojërat në fazën e grupit nuk ishin aq të mira sa dëshironim, por arritëm në fazën e eliminimit direkt. Tani kemi barazimin 0-0 dhe duam të bëjmë gjithçka që është e mundur për kualifikimin”, u shpreh ai.
Van Dijk minimizoi çdo avantazh të perceptuar, që Bayerni mund të ketë, pas ndeshjes së parë pa gola. Ai ka shpresë se “Reds” do të përparojnë sërish.
“Ta mbash portën të pastër në ndeshjen e parë është gjithmonë mirë për të dyja skuadrat, por e dimë dhe anën tjetër të medaljes, nëse shënojmë një gol ne, kundërshtari duhet të shënojë dy. Duam ta fitojmë ndeshjen dhe të kalojmë në çerekfinale”, shtoi ai. /FaktePlus