Vaksina nga aeroplani kundër tërbimit të kafshëve në Kosovë (VIDEO)
Ka dy ditë që ka filluar vaksinimi kundër tërbimit të kafshëve të egra, sëmundje kjo e cila mund të transmetohet edhe tek njeriu.
Për të parandaluar këtë sëmundje, Autoriteti i Aviacionit Civil në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, po bëjnë vaksinimin e kafshëve, në zonat malore në afërsi të habitateve të këtyre kafshëve, shkruan FaktePlus.
Ky lloj vaksinimi ka nisur dhe po kryhet përmes ajrit, me aeroplan.
Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës tregojnë më hollësisht se nga vjen kjo sëmundje dhe sa e rrezikshme është ajo, dhe kush është bartësi kryesor.
Vaksinimi kundër tërbimit të kafshëve ka disa vite që bëhet në Kosovë dhe ndodhë çdo gjashtë muaj, respektivisht në stinën e pranverës dhe vjeshtës.
Për FaktePlus ka folur edhe drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Eset Berisha, i cili tha kjo procedurë e ardhur nga Bashkimi Evropian është forma më moderne e vaksinimit.
E lidhur me këtë temë në një përgjigje me shkrim kompania e cila ka fituar tenderin për shpërndarjen e kësaj vaksine, kanë treguar se kush është shkaktari kryesor i përhapjes së kësaj sëmundje.
“Dhelprat janë burimi kryesor i sëmundjes së tërbimit, prandaj ky ushqim do t’i tërheqë ato. Në momentin që kafsha e gëlltit këtë ushqim vaksina merret automatikisht nga kafsha dhe shpërndahet në organizëm duke krijuar antitrupa specifik kundër sëmundjes së tërbimit.
Projekte të tilla kanë rezultuar të suksesshme në shumë vende të botës, Evropa Perëndimore ka ç’rrënjos këtë sëmundje në territorin e saj, dhe me këtë projekt shpresohet se do të çrrënjoset sëmundja e tërbimit në Kosovë”.
Përndryshe projekti për vaksinimin kundër tërbimit të kafshëve të egra konsiderohet si mjaft i rëndësishëm, duke marrë parasysh rëndësinë dhe rrezikun që e ka kjo sëmundje për shëndetin public./FaktePlus