Vaksina kundër Covid-19, shkencëtarët kalojnë në fazën e dytë
Kina nisi fazën e dytë të testeve klinike për një vaksinë kundër koronavirusit të ri. Shkencëtarët bënë injektimin e saj në 500 vullnetarë të ndryshëm. Mes tyre ishte dhe 84-vjeçari, Xiong Zhengxing, banor në Wuhan, ku nisi dhe përhapja masive e Covid-19.
“Tani të gjithë po luftojnë për parandalimin e sëmundjes. Dëshiroj dhe unë të jap kontributin tim që të gjej paqe në mendjen time”, shprehet Xiong.
Testimi është kryer nga studiuesit në Akademinë Ushtarake Kineze të Mjekësisë Shkencore, një organ që mori aprovimin për zhvillimin e vaksinës nga qeveria e Pekinit në muajin mars.
Sipas kreut të ekipit kërkues, Chen Wei, faza e dytë e testimeve eliminoi dhe limitin në moshë, duke lejuar pjesëmarrjen e vullnetarëve mbi 60 vjeç. Ndërkohë, Kina ka aprovuar testimin e dy vaksinave të tjera eksperimentale tek njerëzit, teksa i druhet dhe një vale të dytë infeksionesh nga Covid-19.
Autoritetet në Pekin kërkojnë që të gjendet sa më shpejt një zgjidhje konkrete kundër pandemisë, në mënyrë qëvtë shpëtohen mijëra jetë.
“Ajo që ne bëjmë tek një vaksinë joaktive është ruajtja e të gjithë pamjes së virusit, dhe pastaj i heqim acidin e tij nukleik, në mënyrë që të mos jetë më infektues. Sapo vaksina të hyjë në trup, sistemi imunitar do ta gjejë dhe do të mobilizojë antitrupat për të shkatërruar virusin”, u shpreh Yin Weidong nga kompania Sinovac
Vaksinat joaktive përdorin mikroorganizma patogjene për të gjeneruar një përgjigje imune. Vaksinat e tilla kanë avantazhet e një procesi prodhimi të pjekur dhe standardeve të kontrollueshme të cilësisë dhe mund të përdoren në shkallë të gjerë. Siguria dhe efektiviteti i tyre mund të gjykohen sipas standardeve të pranuara ndërkombëtarisht.