Ushtria e obligueshme për të gjithë – gjeneral Kastrati tregon se a mund të realizohet plani i Kurtit (VIDEO)
Shërbimi ushtarak i obligueshëm në Kosovë ishte njëra prej pikave të planit qeverisës të kryeministrit të ri, Albin Kurti të prezantuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pikërisht në ditën kur ky i fundit mori detyrën e shefit të ekzekutivit.
Sipas tij, një shërbim i tillë do të ndihmojë FSK-në në përmbushjen e detyrave në fushën e mbrojtjes, shkruan FaktePlus.
“Shërbimi ushtarak në qeverisjen tonë do të jetë i obligueshëm. Shërbimi do të jetë tremujor dhe të angazhuarit do t’i ndihmojnë FSK-së që të përmbushë detyrat dhe misionin e saj të sigurisë”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Por, ish- komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Kadri Kastrati, në një intervistë për FaktePlus, thotë se kjo gjë nuk mund të bëhet në mandatin e Kurtit për shkak që siç thotë ai Kosova nuk ka kapacitete infrastrukturore, të armatimin e po ashtu buxhetin për ta mbuluar këtë gjë.
Gjeneral Kastrati shprehet skeptik që shërbimi ushtarak i obligueshëm mund të bëhet realitet në dhjetë vitet e ardhshme.
“Sa i përket deklaratës së kryeministrit Kurti unë jam skeptik që në dhjetë vitet e ardhshme mund të realizohet. Kosova nuk ka, apo Forca Ushtarake apo kazermat që i kemi aktualisht nuk kanë kapacitete infrastrukturore, nuk kemi kapacitet të armatimit dhe pajisjeve si dhe bien në kundërshtim me ligjet e aprovuara në Kuvendin e Kosovës, për arsye se këto ligje parashohin një forcë profesionale, vullnetare shumë etnike që do t’i përmbushin të gjitha nevojat që dalin nga ky mision”, ka thënë Kastrati, për FaktePlus.
Ndërsa, kryeministri Kurti po ashtu ka paralajmëruar që buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës do të rritet në 100 milionë euro. Por, Kastrati tregon se ky buxhet është i pamjaftueshëm për shërbimin ushtarak siç ka planifikuar Kurti.
Ai madje tregon se nevojiten mbi 600 milionë euro që të ndodhë një gjë e tillë.
“Sipas parallogaritjeve që unë i kam bërë, diku rreth 25 mijë persona dalin në moshën madhore çdo vit në Kosovë dhe nëse ne i qesim si llogaritje të kostos, infrastrukturës, armatimit , pajisjeve, uniformës, ushqimit dhe një pagë që ai ushtarë duhet ta merr minimalisht del diku mbi 600 milionë që do të nevojiteshin për me pas një forcë të tillë dhe kjo është totalisht e papërballueshme për ekonominë dhe buxhetin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Kastrati, në këtë intervistë për FaktePlus, ka folur edhe për atë se për çfarë shërbimi ushtarak ka tani nevojë Kosova.
“Ka nevojë ndoshta për një kulturë ushtarake. Ushtritë e rajonit e kanë larguar shërbimin ushtarak, shumica e shteteve të NATO-s nuk e kanë, arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse është shumë e kushtueshme por ne mund ta bëjmë ndryshe”, ka thënë Kastrati.
Kastrati, po ashtu ka folur edhe nevojat që ka FSK-ja, duke përmendur rritjen e buxhetit, kushtet më të mira si dhe blerjen e armëve me standarde të NATO-s.
Intervista e plotë me gjeneral Kadri Kastratin:
FaktePlus: Ditën kur kryeministri Kurti mori mandatin e tij bëri një paralajmërim për shërbimin ushtarak në Kosovë, për të cilin tha se do të jetë o obligueshëm, si e shihni ju këtë iniciativë të kryeministrit Kurti?
Kastrati: Në 2012 kur ka fillu rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë ekspertët e FSK-së, me partnerët tonë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rend të parë kemi bërë një studim të thellë të sigurisë për Kosovën se çka i duhet në të ardhmen Kosovës për t’i kryer detyrat dhe obligimet që dalin nga Kushtetua dhe nga ligjet. Dhe kemi ardh në përfundim në vitin 2014 që FSK-së, apo Kosovës i nevojiten 5 mijë trupa aktivë dhe 3 mijë rezervë dhe pajisjet dhe armatimi që në atë kohë është studiuar dhe është bërë një plan gjithëpërfshirës ju ka dorëzu Qeverisë dhe pastaj kjo është miratu para një viti, e po ashtu edhe tri ligjet që janë miratu për krijimin e Forcës Ushtarake dhe për të ngritur kapacitetet e nevojshme të kësaj force ushtarake për të përmbushur detyrat dhe obligimet që dalin nga misioni. Misioni i kësaj force ushtarake është mbrojtja dhe integriteti i sovranitetit të vendit, mbështetja e autoriteteve qendrore dhe lokale si dhe pjesëmarrja në operacione paqeruajtëse dhe operacione të tjera humanitare me NATO-n, Bashkimin Evropian apo Kombet e Bashkuara. Gjithë kjo është bërë edhe një studim që është llogaritë edhe kostoja dhe ka dalë që është e mjaftueshme apo e përballueshme për ekonominë dhe buxhetin e Kosovës, që nuk e rëndon aq tepër dhe kjo forcë si në numër e po ashtu edhe në pajisje me armatim i plotëson të gjitha nevojat që Kosova do t’i ketë në të ardhmen.
Sa i përket deklaratës së kryeministrit Kurti unë jam skeptik që në dhjetë vitet e ardhshme mund të realizohet. Kosova nuk ka, apo Forca Ushtarake apo kazermat që i kemi aktualisht, nuk kanë kapacitete infrastrukturore, nuk kemi kapacitet të armatimit dhe pajisjeve si dhe bien në kundërshtim me ligjet e aprovuara në Kuvendin e Kosovës, për arsye se këto ligje parashohin një forcë profesionale, vullnetare shumë etnike që do t’i përmbushin të gjitha nevojat që dalin nga ky mision.
Sipas parallogaritjeve që unë i kam bërë diku rreth 25 mijë persona dalin në moshën madhore çdo vit në Kosovë dhe nëse ne i qesim si llogaritje të kostos, infrastrukturës, armatimit , pajisjeve, uniformës, ushqimit dhe një pagë që ai ushtar duhet ta merr minimalisht del diku mbi 600 milionë, që do të nevojiteshin për me pas një forcë të tillë. Dhe kjo është totalisht e papërballueshme për ekonominë dhe buxhetin e Republikës së Kosovës.
FaktePlus: I përmendet kapacitetet e FSK-së, cilat janë procedurat që duhet të ndiqen që Kosova me arrit deri te ky cak?
Kastrati: Fillimisht duhet dhe unë kisha rekomandu të bëhet një ekip ekspertësh që të ulen, të studiojnë mirë e thellësisht se sa buxhet, çfarë infrastrukture, çfarë pajisje, çfarë armatimi i nevojitet kësaj force dhe kur do të bëhej kjo. Unë dua ta them edhe këtë, që në shatë vitet e ardhshme Kosova është në mënyrë obligative që ta përmbush atë planin gjithëpërfshirës që të ngris kapacitetet e planifikuara të Forcës së Sigurisë, por edhe të partnerëve tonë strategjikë dhe për shtatë vite ne nuk mund të lëvizim asnjë milimetër, as majtas e as djathtas, përderisa ne i ngritim këto kapacitete operacionale dhe pas shtatë vite atëherë ne mund të llogarisim nëse i studiojmë deri atëherë, mund të llogarisim se çfarë modaliteti do ta përqafojmë për me pas një shërbim të detyrueshëm ushtarak.
Duhet infrastruktura ligjore fillimisht të përmirësohet, duhet të planifikohet ndërtimi i infrastrukturës, ai ushtar duhet ta ketë një krevat, duhet ta ketë një tush, ushqim, duhet ta ketë një vend ku të stërvitet dhe të gjitha këto nuk i ka Ushtria e Kosovës dhe duhet të ndërtohen.
Pastaj, duhet të planifikohet blerja e armatimeve, blerja e pajisjeve, blerja e pajisjeve individuale që janë shumë të kushtueshme, duhet çdo komunë të hap një zyrë pranë komunës që duhet të bëjë evidentimin e këtyre rekrutëve se çfarë specialiteti do ta kenë ata , dikush do të jetë këmbësori, dikush komunikim, dikush IT, dikush aviacion, dikush artileri, pra ka shumë specializime në ushtri dhe ajo zyre duhet t’i mbajë këto evidenca për arsye që nesër Kosova nëse rrezikohet nga jashtë atëherë duhet të bëhet mobilizimi dhe mobilizimi bëhet në bazë të atyre specifikave apo në baza të trajnimit që e kanë bërë gjatë shërbimit ushtarak dhe kjo është një detyrë mjaft komplekse që duhet jashtëzakonisht shumë punë, duhet infrastrukturë ligjore, duhet të bëhet një studim i thellë se çka nevojitet që të bëhet kjo punë dhe kjo nuk shkon vetëm me një deklaratë politike, por kjo duhet të studiohet mirë, duhet të analizohet mirë dhe pastaj të veprohet .
FaktePlus: Kryeministri Kurti ka paralajmëruar që do ta rrit buxhetin për FSK-në dhe ai do të jetë rreth 100 milionë euro. Sa besoni se do të ndihmojë kjo rritje?
Kastrati: Unë e përshëndes një ngritje të buxhetit, kjo është shumë e nevojshme për me ngrit kapacitetet e planifikuara për arsye që ky plan gjithëpërfshirës ka qenë plan dhjetëvjeçar që të ngriten kapacitetet e plota operacionale. Unë shumë herë e kam deklaruar se pasi që jemi vonuar tri vite, tash duhet ta përshpejtojmë këtë plan dhe unë mendoj që ky plan nga dhjetë mund të zbres në shtatë vite. Një vit ka kalu dhe tash janë edhe gjashtë vite të plota që ne duhet ti ngrisim kapacitetet.
Armatimet, helikopterët , pajisjet tjera janë shumë të kushtueshme, trajnimet, shkollimet dhe gjithë ato nevoja që i ka Ushtria e Kosovës janë shumë të kushtueshme dhe unë e përshëndes ngritjen e buxhetit në 100 milionë që do të kishte me mjaftu në procesin e ngritjes së këtyre kapaciteteve.
FaktePlus: Mirëpo, nuk do të ndihmonte në blerjen e armëve?
Kastrati: Po, ndihmon. Qeveria mundet armët me i ble përmes prokurimeve, me i ble edhe përmes marrëveshjeve qeveri-qeveri edhe përmes kredive dhe unë jam shumë i bindur që Qeveria do ta përfill planin i cili është miratuar nga Qeveria e kaluar, ligjet që janë miratuar dhe unë shpresoj dhe uroj por edh rekomandoj që të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës për me i ngrit sa më shpejtë këto kapacitete. Kjo për arsye se siguria është sikur ajri për njeriun dhe ashtu edhe siguria është për shtetin dhe unë mendoj që pa siguri nuk kemi as investim, nuk kemi as zhvillim ekonomik dhe Kosova duhet të ec përpara drejt integrimeve në NATO që është një qëllim i Kosovës në të ardhmen dhe sa më shpejtë që të kemi kapacitet ushtarake, sa më shpejtë që Ushtria e Kosovës të perceptohet nëpër botë në misione të ndryshme aq më shpejtë ne do ta kemi cakun kryesor që është anëtarësimi në NATO edhe për neve do të jetë shumë më shumë më mirë eshe në aspektin e sigurisë edhe në atë të integrimeve të tjera.
FaktePlus: A ka Kosova nevojë për shërbim të detyrueshëm ushtarak?
Kastrati: Ka nevojë ndoshta për një kulturë ushtarake. Ushtritë e rajonit e kanë larguar shërbimin ushtarak, shumica e shteteve të NATO-s nuk e kanë. Arsyeja është shumë e thjeshtë sepse është shumë e kushtueshme, por ne mund ta bëjmë ndryshe. Mund ta bëjmë e që është shumë më pak e kushtueshme, mund ta bëjmë me ligjerata në fakultete që të rinjve dhe të rejave t’iu ofrojmë një kulturë ushtarake, pastaj mund të pranojmë vikendeve psh në kazermë në Ferizaj atje është komanda e trajnimeve dhe doktrinës, është poligoni i qitjes, të rinjtë me një senduiq dhe me një ujë mund t’i trajnojmë për tetë orë. Mund t’i edukojnë në aspektin ushtarak, mund të familjarizohen me qitje prej armëve të gjata, armëve të shkurta dhe në këtë drejtim unë mendoj që mundemi me ec përpara, por sa i përket shërbimit të detyrueshëm tre mujor ashtu siç është deklaruar unë e shoh të pamundur tash për tash.
FaktePlus: Sot si e shihni FSK-në?
Kastrati: FSK-ja është krenaria e Kosovës, neve na bën krenarë të gjithëve, posaçërisht neve që kemi kontribuar aty dhe mua posaçërisht si komandant i fundit që kam qenë në këtë forcë që e kam drejtu për tri vite e gjysmë. Ka marrë një rrugë që është jashtëzakonisht e mirë , është shumë profesionale, unë them publikisht dhe e them me përgjegjësi të plotë që në aspektin profesional është para rajonit dhe para disa shteteve të NATO-s, sepse këta djem këto vajza kanë punuar shumë, janë trajnuar dhe na kanë zbardhë fytyrën kudo që kanë shkuar nëpër botë. Unë e përcjell nga këndi që tash jam dhe të them të drejtën unë krenohem. Mirëpo, për me qenë edhe më krenar me këtë forcë duhet t’ia ofrojmë një buxhet më të mirë, kushte më të mira edhe armatimin dhe pajisjet të cilat janë me standard të NATO-s, dhe sa më shpejtë të blihen këto pajisje aq më shpejtë ne do ta kemi një forcë që do të flemë rehat dhe do t’i kemi kufijtë e sigurt dhe do të plotëson të gjitha nevojat që janë të obliguara në të ardhmen si në drejtim të partnerëve tonë strategjikë ashtu edhe nevojat kombëtare që do t’i ketë Kosova./FaktePlus