Ushtria e Kosovës mobilizohet kundër koronavirusit
Virusi misterioz i njohur si “koronavirus”, tashmë po përhapet me të madhe në pothuajse të gjitha vendet e botës.
Ndërsa, së fundi është shënuar edhe viktima e parë në Shqipëri dhe Greqi, shkruan FaktePlus.
E, si duket ndaj mundësisë së përhapjes së këtij virusi nuk është imune as Kosova.
Madje, tashmë janë marrë edhe masat e para nga insitucionet e vendit.
Por, masa kanë marrë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.
Në një përgjigje për FaktePlus, nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovs, kanë thënë se kanë marrë të gjitha masat që të jenë të gatshëm ndaj shpërthimit të mundshëm të koronavirusit.
“Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë përfaqësuesit e vet, në dy komitete të cilat janë krijuar në nivel vendi për menaxhimin e situatës për shkak të coronavirusit:
Komiteti për menaxhimin emergjent të situatës- Coronavirus-COVID-19, dhe
Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse.
Në kuadër të kësaj, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja, kanë marrë të gjitha masat që të jenë të gatshëm në rast të shpërthimit të një epidemie të mundshme me coronavirus në vendin tone”, thuhet në përgjigjen e MFSK-së.
Nga FSK-ja, kanë thënë se do të ofrojnë mbështetje varësisht nga nevojat që kërkohen.
“Gjithashtu, bazuar në kërkesat që dalin nga Komiteti për menaxhimin emergjent të situatës me coronavirus-COVID-19, ne ofrojmë mbështetje, varësisht nga nevojat që dalin nga ky komitet”, thuhet më tutje në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes së Forcës së Sigurisë.
FSK-ja po ashtu, ka lëshuar urdhër paralajmërues në rast të një epidemie të mundshme në vendin tonë, me qëllim që të jemi të gatshëm të ofrojmë shërbimin tonë bazuar në misionin që ka FSK-ja.
Gjatë ditës së djeshme Qeveria e Kosovës në një mbledhje në orët e vona ka ndërmarrë disa masa kundër koronavirusit
Masat që ka ndërmarrë qeveria kundër koronavirusit:
Ndërmarrja e procesit edukativo arsimor dhe institucioneve arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri më 27 mars 2020.
Pezullohet përkohësisht linja e udhëtimit ajror dhe tokësor.
Kontroll i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-vë në të gjitha hyrjet dhe daljet e Kosovës me mbështetjet të PK-së.
Vetëkarantim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm.
— Aktivitetet publike dhe jo publike mund të zhvillohen të mbyllura pa praninë e publikut.
— Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00.
— Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë.
— Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.
— Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë privatë që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.
— Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.
Sëmundja vdekjeprurëse, që ka marrë mijëra jetë në shumë vende të botës, tash për tash nuk është konfirmuar të ketë mbërritur në vendin tonë.
Ndonëse shumë qytetarë deri më tani janë testuar me dyshimet se janë prekur nga koronavirusi, rezultatet kanë treguar se asnjëri prej tyre nuk është infektuar nga sëmundja, që origjinën e ka nga Kina.
Sipas, Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike, deri me tani Kosova ende nuk ka të infektuar me coronavirus.
IKSHP, apelon të kihet kujdes duke i respektuar rregullat e përcaktuara nga instituti./FaktePlus