Urimet e liderëve të Kosovës për Kurban Bajramin, ja për çka thërrasin të bëhet kujdes

Liderë institucionalë dhe të partive politike kanë uruar qytetarët e besimit islam për festën e Kurban Bajramit.
Urimi i tyre është përcjell me lutjet për kujdes ndaj pandemisë COVID-19. Ata kanë ftuar qytetarët që sot të kryejnë vizita te të afërmit e tyre.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në urimin e tij të postuar sot në Facebook, ka thënë se të bashkuar mund të kalohet edhe kjo sfidë që po e përcjell vendin dhe botën.
“Një festë me shumë solidaritet, mirëkuptim e harmoni për njëri-tjetrin qoftë ky Kurban Bajram. E kemi kaluar gjithherë të bashkuar, por në këto ditë të vështira nëpër të cilin po kalon populli ynë dhe tërë bota për shkak të pandemisë, këtë herë duhet ta kalojmë duke e ruajtur distancën fizike dhe shëndetin e më të dashurve tanë. Urime të përzemërta të gjithë besimtarëve myslimanë”, ka shkruar Thaçi.
E kryeministri Avdullah Hoti ka uruar që festat e ardhshme të priten në një situatë normale.
“Me fat Kurban Bajrami. Uroj dhe lutem që të keni shëndet të mirë ju dhe familjet tuaja. Dua të besoj se festat e ardhshme do t’i presim në një situatë krejt normale, pa pandemi, me gëzime e me sfidat e zakonshme që ka jeta.
“Sot festoni në shtëpitë tuaja dhe lutuni për familjarët, miqtë, vendin dhe mbarë njerëzimin. Duke qëndruar në shtëpi i ndihmojmë heronjtë e vijës së parë të frontit – stafin tonë shëndetësorë, të cilët po përballen me këtë pandemi për gjashtë muaj pa pushim. Edhe sot në këtë ditë feste, ata janë duke u kujdesur për qytetarët në nevojë. T’i respektojmë masat sot, që të festojmë përjetë e mot”, ka shkruar Hoti.
Edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka uruar Kurban Bajrami.
Përmes një njoftimi për media, ajo ka thwnw se shkaku i pandemisë Covid-19, do të kujdesemi që sot ta urojmë nga distanca secilin besimtar për Kurban Bajram dhe ta rikujtojmë se njerëzimi gjithmonë përballet me sakrifica.
Ajo tutje ka shtuar se kjo nuk do të jetë pengesë për festë dhe urim që Bajrami i ardhshëm të mund të kremtohet afër njëri-tjetrit dhe kur ditët e rënda si këto që po kalojnë do t’i takojnë historisë.
“Edhe ky Bajram na gjeti larg njëri-tjetrit, por afër me zemër dhe me urimin për ditë më të mira! Urime Kurban Bajrami të gjithë besimtarëve myslimanë! Paqja, shëndeti, mirësia e begatia qoftë me ju dhe familjet tuaja”, ka thënë ajo.
Besimtarët islamë i kanë uruar edhe liderët e partive si Albin Kurti i VV-së, Isa Mustafa i LDK-së. Kadri Veseli i PDK-së, Ramush Haradinaj i AAK-së e Fatmir Limaj i Nismës, po ashtu me lutjen për kujdes të shtuar dhe respektim të masave kundër pandemisë.
Me vendim të Bashkësisë Islame të Kosovës, Kurban Bajrami nuk është falur sot nëpër xhami.