Uran Ismaili nënshkruan zotimet e tij para qytetarëve të Dardanisë dhe Lakrishtes
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës Uran Ismaili pas disa javësh që ka bujtur dhe ka qëndruar me qytetarë të të gjitha lagjeve dhe fshatrave të Prishtinës tani ka dalë edhe me zotime konkrete për ta.
Sot ai e ka nisur me lagjet Dardania dhe Lakrishte, ku u ka treguar banorëve se cilat punë do t’i kryejë në këto lagje deri në vitin 2024 – nëse do të udhëheqë me Prishtinën.
“Sot jam këtu për një takim jo krejt të zakonshëm. Ky nuk është një tubim si çdo tjetër. E ka një qëllim shumë të qartë edhe një zotim të prekshëm për të gjithë juve. Si qytetar i Prishtinës çdo ditë të jetës e kaloj në Prishtinë. I njoh problemet dhe streset e përditshme të secilës lagje. Mirëpo, për t’i përjetuar ma drejtpërdrejt ato për disa javë rresht kam bujtë nëpër lagje të ndryshme të Prishtinës. E lagjet tona kanë probleme të shumta, përfshirë edhe Dardaninë e Lakrishten. Por para se të ankohemi në secilën lagje kemi ndreqë diçka bashkë me banorët. Edhe në Dardani e kemi bërë njësoj”.
“Por, sot nuk jam këtu me folë për problemet e lagjes, sepse ju i dini ato edhe më mirë se unë. I jetoni çdo ditë. Sot kam ardhë këtu me e bë një zotim edhe me shkrim, me e nënshkru këtë listë të problemeve me zgjidhjet e propozume, që ju me më mbajtë për fjale në mandatin tim si kryetar i Komunës së Prishtinës. Unë e kam një plan që tregon se çka do të bëjmë, qysh do ta bëjmë edhe kur do ta bëjmë”.
Më tej, Ismaili ka treguar me radhë se cilat janë punët konkrete për këto dy lagje.
“Deri në tetor të vitit 2024 bashkë do t’i ndreqim problemet e mëposhtme të lagjeve: Renovim dhe mirëmbajtje për pjesën te Kurrizi, platonë dhe tunelet; Transformim i qendrës së vogël tregtare prapa Santesë; Parking për çdo familje; Pastërti e ndriçim në çdo pjesë të lagjes; Largim i azbestit nga ndërtesat; Shtim i brezave gjelbërues përgjatë rrugëve kryesore dhe ndërtesave; Trajtim i oborrit të Termokiss dhe shkollave të lagjes; Shtim i shtigjeve të reja për çiklistë; Heqje e rrethojave fizike përreth ndërtesave; Lirim i hapësirave të uzurpuara publike; Trajtim i fasadës së objekteve të banimit; Funksionalizim i nënkalimit mes Dardanisë dhe Lakrishtes; Zgjidhja e problemit të hapësirave të patrajtuara rreth hekurudhës”, ka përfunduar ai.