Ura që solli shumë dhimbje… nuk erdhi Shakira dhe ende s’u hap plotësisht
Thuajse që nga paslufta e u kthye në simbol të ndarjes. Ishte arenë e tensioneve e përplasjeve që në disa raste përfunduan edhe me vdekje. Ura mbi lumin Ibër që do të duhej t’i afronte e të lehtësonte komunikimin mes qytetarëve të jugut dhe veriut të Mitrovicës, u shndërrua në një simbolikë të ndarjes, frikës, rrezikut. E tani edhe pas 11 vite nga shpallja e pavarësisë e normalizimit të situatës në qytetin verior, kjo urë vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim të automjeteve, pavarësisht investimeve milionëshe e populizmave politik të shumtë.
Ura e Ibrit po vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim të automjeteve. Pavarësisht investimit prej 3.3 milionë eurosh: 1.2 milion euro për revitalizimin e urës dhe 2.2 milionë euro për revitalizimin e rrugës “Mbreti Petër”, për ta shndërruar atë në zonë të këmbësorëve, ajo ende nuk është hapur për automjete.
Definimi i kufirit veri/jug, shkak i mos’hapjes së urës
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq po insiston që së pari të bëhet definimi i kufirit mes dy komunave, asaj të Veriut dhe asaj të Jugut e më pastaj të lëshohet ura për qarkullim. Sipas tij, pjesë e Mitrovicës së Veriut duhet të jenë edhe Suhadolli, Vidimiriqi, Vinarci, Gushavci dhe e gjithë rrjedha e lumit Ibër.
Rakiq idenë e tij që edhe fshatrat shqiptare të jenë pjesë e Mitrovicës së Veriut e lidh me faktin se KQZ-ja kishte vendosur që votuesit shqiptarë të Suhadollit t’i bartë për votim në Mitrovicën e Jugut, ndërsa ata serbë të votojnë në Mitrovicën e Veriut. Rakiq këtë veprim të KQZ-së e merr si argument që Suhadolli tashmë është ndarë dhe këtë e ka bërë vetë Prishtina.
Por me këtë nuk po pajtohet edhe kryetari i komunës së jugut, Agim Bahtiri. Sipas tij Suhadolli me kadastër i takon Mitrovicës së Jugut.
Bahtiri insiston që të respektohet Pakoja e Ahtisaarit dhe se mos të diskutohet për këtë çështje në Bruksel.
“Definimi i kufirit në mes të dy komunave duhet të bëhet saktësisht me ligjet tona në fuqi, me Pakon e Ahtisaarit dhe tjetër opsion nuk ka. Unë kam kërkuar nga Rakiqi që këtë ta respektojë dhe më në fund t’i japin fund kësaj pune, por ai vazhdimisht refuzon. Madje ai në kohë të fundit ka kërkuar që çështja e urës të bëhet temë e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel”, thotë Bahtiri.
Komuna e Mitrovicës e cila administrativisht është e ndarë në jug dhe në veri nuk e ka të përcaktuar vijën administrative. Kjo sipas serbëve duhet të jetë lumi Ibër, ndërkaq pala tjetër kundërshton kategorikisht. Me firmosjen e ujdisë, vendbanime si Suhodolli, Gushanci e Binarci të banuar më shumicë shqiptare do të shkonin nën administrimin e komunës në veri.
Kjo e fundit është produkt e pakos së Marti Ahtisarit mbi të cilën Kosova shpalli pavarësinë.
Premtimet e vazhdueshme dhe dështimi për ta sjell këngëtaren me famë botërore
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri në vazhdimësi ka premtuar se do të bëhet hapja e urës për njerëz dhe automjete. Madje menjëherë pas heqjes së barrikadave në urën kryesore të Ibrit në gusht të vitit 2016, Bahtiri e kishte dhënë datën 20 shkurt të vitit 2017 për t’u hapur tërësisht ajo për njerëz dhe automjete.
“Sot është ditë e mirë për Mitrovicën, është mirë që po hapet ura. Sot po bëhet e mundshme që të bashkohen qytetarët e të lëvizin lirshëm me rivitalizimin e urës. Ura do të hapet tërësisht. Mendoj se është zgjidhur edhe çështja e kufijve, marrëveshja me bashkësinë ndërkombëtare është që të ndërtohet xhamia në pjesën ku ka qenë”, pati thënë Bahtiri.
Po në atë ditë kur u hoqën barrikadat, Goran Rakiqi e kishte dhënë 20 janarin datë për hapjen e urës, duke thënë se hapja e urës është dëshmi që pala serbe i respekton dhe realizon marrëveshjet e arritura në Bruksel.
“Ashtu edhe siç është parashikuar me marrëveshje, punët që financohen nga BE-ja me rreth 1 milion euro do të zgjasin katër muaj, në mënyrë që ura, fillimisht për këmbësorë e pastaj edhe për automjete, të hapet më 20 janar të vitit që vjen. Me marrëveshje për rivitalizim planifikohet që nga të dy anët e urës të stacionohen punktet e KFOR-it, të EULEX-it, Policisë së Kosovës, të cilat do ta sigurojnë gjithë hapësirën rreth urës për t’i penguar incidentet eventuale, ndërkaq zona e këmbësorëve do të mbrohet me një ‘kaskadë’ shtesë”, thoshte ai në atë kohë.
20 janari ishte edhe data e paraparë për hapjen e murit pas marrëveshjes së Brukselit për revitalizimin e urës mes ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe ish-kreut të Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri pati premtuar se do ta sjellë për të performuar edhe këngëtaren kolumbiane me famë botërore, Shakira. Ai pati shkuar edhe më ‘thellë’, duke theksuar se edhe urën do ta emërtojë ‘Shakira’. Por të gjitha këto dështuan. Këngëtarja kolumbiane nuk erdhi, sikurse as ura nuk u hap.
Ura e Ibrit – një histori e dhunës, ndarjes, mureve, barrikadave e marrëveshjeve të dështuara
Në tërë periudhën e pasluftës muri ka qenë simbol i pasigurisë, tensioneve e frikës mes qytetarëve të të dyja anëve të Ibrit.
Ura e renovuar, e cila vetëm pas një viti, pas përfundimit të luftës u kthye në një arenë trazirash ndërmjet shqiptarëve e serbëve, mori pamje tjetër në vitin 2000. Ajo u ridizajnua me një donacion të KFOR-it francez, në vlerë prej 1.7 milion markash, përderisa zyrtarët komunalë nuk kishin fare qasje në atë projekt.
Në mars të vitit 2004, tre fëmijë shqiptarë humbën jetën pasi ranë në mënyrë të mistershme në lumin Ibër. Verzioni i dëshmitarëve se ata u ndoqën nga serbët bëri që ngjarja të merrte karakter etnik. 19 persona prej të cilëve 11 shqiptarë e 8 serbë vdiqën pas protestave masive që shpërthyen. Mëse 900 persona u lënduan. U dogjën shtëpi e objekte fetare, si të serbëve nga shqiptarët, ashtu edhe të shqiptarëve nga serbët.
Probleme pati edhe pas shpalljes së pavarësisë.
E pas aktit të djegies së pikave kufitare, më 25 korrik të vitit 2011 u ndërmor një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës për të marrë nën kontroll pikën doganore 1 në Jarinje dhe 31 në Bërnjak, pika këto që në të kaluarën shfrytëzoheshin për kontrabandim nga strukturat paralele serbe.
Policia e Kosovës kishte hasur edhe në rezistencë të armatosur nga serbët lokal, kurse aty edhe kishte humbur jetën polici i Kosovës, Enver Zymberi, duke u qëlluar nga një snajperist.
Këto ngjarje ndikuan që serbët lokal të vendosnin 16 barrikada me zhavorr e beton në pjesën veriore të Ibrit, duke mos e lejuar kështu kalimin andej të shqiptarëve e krijuar kështu destabilizim të gjendjes.
Barrikadat përveçse në Urën e Ibrit, u vendosën edhe në rrugën magjistrale Mitrovicë-Leposaviq, rrugën Mitrovicë- Zubin Potok, rrugën afër shkollës teknike afër Lagjes së Boshnjakëve në Mitrovicë si dhe disa rrugë tjera më të vogla.
Serbët thoshin që do t’i hiqnin barrikadat vetëm kur nga pikat kufitare të tërhiqen pjesëtarët e Doganës së Kosovës dhe kur KFOR-i kontrollin e këtyre pikave t’ua kalojë stacioneve policore në veri të Kosovës.
Aty ishin vendosur edhe një grupim kriminal i njohur si “Rojat e urës” të cilët kishin për qëllim ruajtjen e barrikadave.
Muajt në vijim u karakterizuan me heqje të zhavorrit e strukturave të betonit nga KFOR-i, të cilat kishin barrikaduar rrugët që çonin për në pikat kufitare 1 dhe 31. Gjatë kësaj kohë pati edhe përleshje me armë e lëndime kryesisht të ushtarëve të KFOR-it.
Në qershor të vitit 2012 KFOR-i kishte larguar një barrikadë në Rudare, proces i cili ishte përcjell me shumë dhunë, ku për pasojë dy ushtarë të KFOR-it dhe tre pjesëtarë të komunitetit serb ishin lënduar pasi një breshëri plumbash ishin shkrepur.
Në mëngjesin e 17 qershorit 2014 u larguan barrikadat mbi lumin Ibër, e cila që nga viti 2011 ishte simbol i ndarjes fizike së veriut të Kosovës, ndërsa pak ditë më pas u vendos barrikada “Parku i paqes” e cila nga serbët lokal nuk konsiderohej si e tillë.
Pak ditë pas saj, në një protestë që kundërshtonte rivendosjen e një barrikade në Urën qendrore të lumit Ibër, trembëdhjetë pjesëtarë të Policisë së Kosovës u lënduan, 5 persona u arrestuan e disa vetura u dogjën.
Në korrik të vitit 2014 pas takimit të delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, u vendos që barrikadat të tërhiqen. Marrëveshja parashihte që të hiqeshin barrikadat në mënyrë që të realizohej lëvizja e lirë, të vazhdohej moratorium i cili ndalon çfarëdo punimi për rivendosjen e barrikadave në atë pjesë dhe të hartohej projekti e të realizohej restaurimi i Urës së Ibrit.
Barrikadat e fundit u hoqën në periudhën gusht-tetor të vitit 2016 dhe këto erdhën pas marrëveshjes së Kosovës me Serbinë në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve. Më 14 gusht filloi edhe projekti për revitalizimin e urës, proces i cili kushtoi 1 milion e 200 mijë euro dhe sipas planit do të duhej të përfundonte në janar të vitit 2017.
Strukturat paralele serbe kishin ndërtuar edhe një mur ilegal për ta pamundësuar lëvizjen e qytetarëve në dhjetor të vitit 2016 por ekskavatorëve iu dëshën vetëm një orë që në shkurt të vitit pasues, ta rrëzonin atë mur. Marrëveshja për rrëzimin e tij u arrit mes përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre serbë në Kosovë.
Edhe në korrik të vitit 2018 mediat kishin raportuar se po ndërtohej një mur ilegal, mirëpo Zyra e BE-së kishte deklaruar se bëhej fjalë për një rrethrrotullim që do të lidhë projektin e BE-së për revitalizimin e urës në Mitrovicë dhe objekteve përreth, si dhe projektin për ta bëre rrugën “Mbreti Petar” ta kalueshme për këmbësorë.
Në mesin e vitit 2017 përfundoi revitalizimi i urës së Ibrit kurse një vit më pas përfunduan punimet edhe në revitalizimin e rrugës “Mbreti Peter” në veri të urës, e cila është shndërruar në zonë të këmbësore, një projekt i gjithi i Bashkimit Evropian për të cilin ka investuar 2.1 milionë euro./FaktePlus