UNMIK-ut apo BE-së: Kujt i raporton Gjykata Speciale, flasin nga Haga për FaktePlus
Në vitin 2015, deputetët e Kosovës e formuan Gjykatën Speciale, mirëpo atëherë thuhej se kjo Gjykatë do t’i hetojë krimet e serbëve në luftën e fundit në Kosovë. Por e vërteta doli ndryshe. Kjo gjykatë gjatë vitit 2020 ka arrestuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën pretendimin se kanë kryer krime lufte.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi janë katër nga tetë të akuzuarit për krime lufte në Kosovë.
E për ta Dhomat e Specializuara në Hagë kanë mbledhur dëshmi e dëshmitarë, nën pretendimin se “kanë kryer krime lufte për arrestim dhe ndalimi të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje, dhe krime kundër njerëzimit për burgosje, veprime të tjera çnjerëzore, tortura, vrasje, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje”.
Mirëpo mandati i Gjykatës Speciale është pesë vjeçar, andaj në vitin e kaluar ky mandat ka skaduar dhe nuk është më pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Dje në mediet kosovare është raportuar se Gjykata Speciale i raporton UNMIK-ut, e këtë gjë nga Haga nuk e kanë përmendur.
Se kujt do t’i raportojë Gjykata Sepciale, për FaktePlus ka folur Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara.
Ajo ka thënë që Dhomat e specializuara janë institucion i pavarur.
“Dhomat e Specializuar dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë institucione të pavarura. Në lidhje me gjykimet ZPS raporton publikisht në raportin e saj vjetor mbi aktivitetet e saj gjyqësore. Të gjitha seancat dëgjimore publike të KSK (paragjyqi, gjykimi, apelimi) janë të hapura për publikun, të transmetuara me video në shqip, anglisht dhe serbisht përmes faqes në internet.”, ka thënë Griep për FaktePlus.
Për pesë vite, Gjykata Speciale nuk pati aktivitet sa pati për një vit. Mirëpo se kur do t’i përfundojë punimet e saj me krimet në Kosovë, Angela Griep paralajmëron se ky fund nuk është afër.
“Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Rregullorja e Procedurës parashikojnë gjykime të drejta dhe të shpejta që pasqyrojnë standardet më të larta të ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Tetë të akuzuar janë akuzuar në kohët e fundit dhe çështjet e tyre janë aktualisht në fazën paraprake.”, ka thënë Griep.
Por Griep thotë që mandati i ZPS/DHS do të vazhdojë derisa Kosova të njoftohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian se hetimet kanë përfunduar dhe se çdo procedurë nga Dhomat e Specializuara të ketë përfunduar.
“Afati kohor do të varet nga zhvillimet në këto procedura, duke përfshirë natyrën dhe fushën e çështjeve dhe çdo ankesë të mundshme, etj. Neni 169 i Kushtetutës parashikon që mandati i KSC / SPO do të vazhdojë derisa Kosova të njoftohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian se hetimet kanë përfunduar dhe se çdo procedurë nga Dhomat e Specializuara të ketë përfunduar”.
Ndërkaq, seanca e radhës do të mbahet të hënën, 19 prill nga ora 15:00 ndaj Pjetër Shalës.
“Seanca e ardhshme publike do të zhvillohet të Hënën, 19 Prill, kur Z. Pjeter Shala do të ketë paraqitjen e tij fillestare para Gjykatësit të Procedurës Paraprake. Në përgjithësi, kur caktohet një seancë, kjo bëhet publike në kalendarin e gjykatës online (https://www.scp-ks.org/en/calendar).”, ka njoftuar Griep.
Në Hagë po mbahen: Ish- presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish- kreu i SHIK-ut Kadri Veseli, zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi, inspektori i përgjithshëm i UÇK-së Rexhep Selimi, komandanti Pjetër Shala, ish- eprori Salih Mustafa dhe krerët e OVL të UÇK-së Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.
Të gjithë të akuzuarit po mbahen në Gjykatën Speciale në Hagë dhe nuk janë lejuar të mbrohen në liri./FaktePlus/