Unitedi i bën ofertë Muriqit
Sipas një artikulli të një mediumi turk, Manchester Unitedi i ka bërë ofertë yllit të Fenerbahçes, Vedat Muriqi.
Përfaqësuesi i Kosovës ka qenë i lidhur për një kalim të mundshëm në Premier Ligë muajve të fundit, ndërsa interesim për të kanë shprehur Tottenham Hotspur dhe Burnley.
“Fotospor” sot raporton mbi zhvillimet e fundit në lidhje me të ardhmen e lojtarit kosovar dhe thonë se Manchester Unitedi kanë bërë përpjekje për të siguruar shërbimet e qendërsulmuesit, transmeton Koha.net.
Tani që skuadra nga Premier Liga ka mbetur pa Marcus Rashfordin edhe për një kohë të pacaktuar, është thënë se trajneri i “Djajve të Kuqë” Ole Gunnar Solskjær është duke e monitoruar tregun për një sulmues para mbylljes së afatit kalimtar javën e ardhshme.
Thuhet e lojtari është shumë i gëzuar nga ky propozim nga klubi anglez pasi është informuar nga agjenti i tij, por gjasat që Fenerbahçe ta shesë atë janë të vogla.
Feneri është ende duke garuar për titull në ligën turke, dhe në rast se dëshirojnë ta shesin Muriqin, atë do ta bëjnë gjatë afatit kalimtar të verës.
Sulmuesi ka kontratë me klubin turk deri në qershor të vitit 2023./FaktePlus