‘Unë jam një nga një milion e katërqind e tridhjetë e një mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë gratë e Shqipnisë’
Ada Halilaj
Unë jam një nga një milion e katërqind e tridhjetë e një mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë gratë e Shqipnisë.
Jam bijë e gjakut malësor; fëmijë i dy prindërve me arsim 8-vjeçar, njerëz të një dinjiteti madhështor, të një thjeshtësie mallëngjyese, të një krenarie imponuese, punëtorë kooperativash, vjelës duhani, shitës kavanozash, shtëpijakë e në fund nëpunës shteti. Jam vajza e një nane bujarisht të dashtun por edhe e sertë në rregulla dhe dirigjente në kërkesa dhe i një babai fjalëpaktë, mendjehapun e besimdhanës. Jam vetë mësuese e vetë nxanëse e lirisë teme, të cilën deri vonë, e kam mbrojt si kafsha këlyshin e vet. Një grua e gjykume për prejardhjen ‘joqytetare’, për tatuazhet, për udhëtimet vetëm, për pavarësinë e mendimit të ftohtë,për refuzimin e religjionit të prindërve,bindjet politike të vetëformume, për tërheqjen nga spektakli i traditave, për njeriun që dashurova, për poezitë erotike, për shkrimet feministe, për zanin e të drejtës,për vetëvendosjen, për guximin, për besimin e palëvizshëm në vedi.
Jam një nga ato gratë për të cilat flitni në pauzat e kafeve, në mbledhjet familjare,në vesh të njeni-tjetrit. Një nga ato gratë që ndeshni me bërryl, tregoni me gisht, shihni me bisht të synit,ua harroni emnin apo s’keni njoft kurrë.
Gra si nana jeme, e treta e 9 fëmijëve, e lindun dhe e rritun nën brinjë të malit; e ushqyme me racion buke; e veshun me tesha të qepuna e të shqepuna; e mësume me hap sytë pa lind dielli, me kullot bagëtitë, me mbledh shërbelë, me ec gjysëm ore për shi e borë deri në bankat e shkollës, me andrru pak e me punu shumë. Pengu i saj ma i madh asht humbja e bursës së studimit në Shkodër për vendim të të atit e privimi nga një mundësi e dytë shkollimi për vendim të vjehrrisë.
Gra si kushrina jeme,e cila tentoi disa herë vetëvrasjen për shkak të dhunës sistematike të bashkëshortit dhe pikëllimit nga turpi i pafrenueshëm me kërku ndihmë nga familja.
Gra si Meli, e fejume me zor në moshën 12 vjeçare sepse trupi i saj, krahasu me shoqet, ishte ma joshës, ma trazues e kërkesat e dorës sa vinin e shtoheshin në shtëpi.
Gra si Ida, që pranon pasivisht bashkëjetesën me një burrë pijanec, të dhunshëm dhe të papunë sepse e zgjodhi vetë, me dashni e me ngulm, kundër gjithkujt e gjithçkaje, e i vëllai nuk e merr mbrapsht motrën e ndame me dy fëmijë të “huaj” në prehën.
Gra si Ola,babai i të cilës ka vite që nuk i flet me gojë,vetëm sepse lindi një fëmijë jashtë martese.
Gra si Ohrida,që duhet të fshihet nëpër kafene të errëta apo në lokale periferike me të dashtunin e saj,duhet t’i ruhet paditjes së kureshtarëve sepse vajzat e këtij vendi nuk mund ta jetojnë lirisht njohjen me një djalë.Ua fshehin prindërve nga frika.Ua rrëfejnë shoqeve nga ngazëllimi…sepse këtu,dashnia e pashpallun,e pazyrtarizume,e papërkrahun nga familjet përkatëse,shtrëngohet në turp,në marre,në koritje.
Gra si Xhulia,që mendon se virgjëria asht garanci për një martesë plot besim dhe krenari mashkullore…se kështu i kanë thanë,se kështu e kanë bind.
Gra si Lela,të brymosuna aq fort me frymën e nënshtrimit,sa besojnë plotësisht e verbnisht që urtësia dhe heshtja shiten mirë në tregun e opinionit të masës dhe se një grua e mençun nuk kundërshton,nuk e braktis vendin që i përket.
Gra si Artemisa,që detyrohet të organizojë dasmën në kohë rekord,me ngut dhe ankth sepse pret një bebe e familja nuk ia don barkun te goja në pragun e një shtëpie që s’asht ajo e të shoqit.
Gra si Pranvera që zgjohet e para e flen e fundit,që përgatit njëherazi mëngjesin e drekën nën dritën e vakët të kuzhinës, duke tregu kujdes maksimal që të tjerëve mos t’u cënohet gjumi,që punon mekanikisht 8 orë në një fabrikë këpucësh në anën e kundërt të qytetit,që kur kthehet e rraskapitun e me rrathët e syve të ramë,duhet t’ia fillojnë nga e para avazit të pafalshëm shtëpijak.Darka,pjatat në lavaman,detyrat e fëmijëve,rrobat e pahekurosuna në raft,mendimi se ça do gatuajnë të nesërmen,pa prit asnjë shenjë ndihme nga askush përveç duarve të saj.
Gra si Linda,e cila punon sa dyfishi i të vëllait në biznesin e familjes por paguhet sa gjysma e tij sepse djali,në ngushtësinë e mendimit patriarkal,asht shtylla e shtëpisë,trashëgimtari qëndror,andaj meriton ma shumë.
Gra si Inesi që dirigjon një organizatë të njohur,udhëton shumë,jeton vetëm,fiton mjaftueshëm para sa të mos ketë nevojën e askujt por që për tagrin publik karriera e saj asht fitu në këmbim të trupit të saj.
Gra si Luçiana,e cila prej 25 vitesh jeton me dy prindërit e bashkëshortit dhe nën ligjivënien e plotë të tynen përjashtohet nga vendimet familjare.Që nga emrat e fëmijëve e deri te blerjet ushqimore,Luçiana nuk ka zà me nxjerr.
Gra si Denisa,e cila pas lindjes së katër vajzave tenton kërkimin dëshpërues të djalit në një shtatzani të pestë dhe aborton me dashje sapo ekografia nuk ua përmbush pritshmëritë.
Gra si Jonida,dikur balerinë e një talenti premtues,e sot gruaja e një burri fanatik,xheloz e prepotent që e detyroi të hiqte dorë nga baleti,të vishte fundin nga gjuri e poshtë e të izolohej nga gjithkush në kullën e “artë”të vetmisë.
Gra si Ela,që nuk mundi të triumfonte karrierën si peshëngritëse sepse i ati nuk donte vajzë me profesion burrash.
Gra si Gonxhja,e cila mbasi ka pastru gjithë ditën stallën e lopëve,e këput gjumi duke parë telenovelën e preferume,të vetmen aventurë të lejueshme nga realiteti.
Gra si Kristina,e cila ka 3 javë që nuk takon prindërit,me urdhën të të shoqit,mbas një debati të cekët të këtij të fundit me burrin e motrës së saj.
Gra si Fatimja,e deklarume e vdekun nga familjarët pse u dashurua me një djalë të një feje tjetër.
Gra si Emanuela,që një pallat i tanë mezi pret ta fejojnë pas “turpit” të dështimit të fejesës së parë.
Gra si Nora,me shkollë,me profesion,me rrogë të mirë,me një burrë të pashëm që shihet me keqardhje dhe dyshim kur pyetjes se kur do bahet nanë,i përgjigjet:Jemi mirë kështu siç jemi!
Gra si Drita,e urtë,e butë,e sjellshme,punëtore,shembullore por “fatkeqësisht” e pabukur,e si e tillë e mëshirume kolektivisht.
Gra të palumtuna,të papërmbushuna,të paragjykume e të dhunume egërsisht.Gra me emën po pa identitet.Gra pamjaftueshmërisht të bukura,të mira,punëtore,nikoqire,pjellore…pamjaftueshmërisht të qeshuna,të dashtuna,të binduna…pamjaftueshmërisht bashkëshorte,nana,bija,nuse.
Gra të keqpagume,të keqtrajtume,të keqkuptume.
Për to,për nanen teme,për vedin…shkruej,luftoj,protestoj,qëndroj.
Festa mund të presin.Rruga drejt saj nuk shtrohet me lule!