“Unë e dua Labin” – Kjo është përgjigja e Ministrit Matoshi për deputetin Tahiri
Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re(AKR), mbrëmë ka deklaruar se Qeveria aktuale është votuar me 61 vota dhe çdo votë e vetme ka një peshë të jashtëzakonisht të madhe, duke potencuar se dy votat që ka AKR “determinojnë të ardhmen e kësaj Qeverie”.
Të dy deputetët e kësaj partie llogaritet të jenë Islam Pacolli dhe Labinot Tahiri.
Por këtij të fundit nuk i kishte pëlqyer fakti se ai ishte bërë pjesë në llogaritjet politike të AKR’së.
Në një postim të tijin në Facebook ai ka akuzuar Matoshin dhe të gjithë në AKR, përveç Behgjet Pacollit siç ka thënë ai, se kanë punuar kundër tij.
Tahiri po ashtu ka thënë se AKR ka vetëm një votë në Kuvend dhe se ai nuk është më deputet i tyre. Gjithashtu Matoshit i kishte thënë se nuk është nënkryetar i partisë AKR.
Express ka kontaktuar me Fatmir Matoshin për të marrë një reagim rreth këtyre deklaratave të Tahirit.
Matoshi ka thënë se Tahiri ka cekur se nuk është pjesë e strukturave por gjithsesi nuk e ka cekur se nuk bën më pjesë në parti.
Gjithashtu ai ka shtuar se nuk ka asgjë kundër Tahirit dhe mendon se komentet e tij kanë qenë vetëm për të marrë vëmendje.
“Nuk kam asgjë kundër tij. Unë e dua Labin”, ka thënë Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Nëse ai qëndron me ne është ok, por edhe nëse ai largohet përsëri është ok dhe do i uronim gjithë të mirat”
Tutje Matoshi ka thënë se deklarata e tij e mbrëmshme është keqkuptuar.
“Unë kam thënë se me 61 vota është bërë Qeveria, dhe kam potencuar se sa me rëndësi është një vote e vetme për këtë Qeveri, dy vota janë edhe më të rëndësishme”, ka shtuar Matoshi.
“Edhe një sqarim pozita ime në AKR është pak më ndryshe se nënkryetari. Unë jam zgjedhur si Kryetar i Kuvendit të kësaj partie në mbledhjen konstituive”